Frutat e egra janë konsideruar gjithnjë si një nga dhuratat më të çmuara të natyrës për njeriun.
Manaferra e detit është padyshim një prej tyre. Ajo gjendet me shumicë në brigjet e Mesdheut ku kripa e detit pengon bimët e tjera më të mëdha që synojnë ta pushtojnë.
Në Shqipëri, manaferra e detit shfaqet si një shkurre subalpine në malet e Rivierës së Jugut. Kjo bimë e toleron kripën e ajrit dhe tokës, por kërkon shumë dritë dielli për t’u rritur dhe nuk e duron dot hijen e pemëve të tjera më të mëdha. Llogaraja është padyshim një nga zonat më popullore, ku shqiptarët mbledhin manaferrat e detit. Manaferra e detit është një super frut që përmban të gjitha acidet yndyrore Omega 3, 6, 9, madje edhe atë të rrallën Omega 7.
Për më tepër ajo përmban një sërë antioksidantësh dhe përbërësish fantastikë. Është përdorur për të trajtuar sëmundjet e lëkurës që shoqërohen me njolla dhe kruajtje, për t’i dhënë shkëlqim lëkurës, forcuar imunitetin, ngadalësuar plakjen, ulur kolesterolin etj. Megjithatë ajo ka edhe një sërë vlerash të tjerash që e bëjnë atë një burim superior vitaminash dhe mineralesh. Bima e manaferrës së detit ka degë të dendura dhe me gjemba.
Mbledhja e frutave është e vështirë për shkak të gjembave që rrethojnë secilën degë. Mënyra më e përhapur mesdhetare e mbledhjes së frutave është prerja e gjithë degës, ndonëse kjo e shkatërron gjithë shkurren dhe ul aftësinë e saj për të prodhuar më shumë fruta.
Pas këputjes, dega futet në frigorifer dhe ftohja lejon që kokrrat të shkëputen lehtësisht prej saj. Disa sipërmarrës të kontaktuar nga AgroWeb.org të mbështetur nga ekspertë të huaj po eksperimentojnë në disa miniparcela mundësinë e kultivimit të shkurres duke përdorur hibride të egra, por ende janë hapat e parë dhe AgroWeb.org do t’ju informojë gjërësisht në vijim. Kokrrat e manaferrës së detit janë të ngrënshme dhe ushqyese ndonëse janë disi të tharta dhe vajore.
Po të hahen të gjalla nuk kanë shumë shije, por nëse i ngrini në frigorifer ose i përzieni në pije të ëmbla të frutave si të rrushit apo të mollës, atëherë shijojnë më shumë. Për më tepër, fermentimi i lëngut të manaferrës së detit largon shijen e thartë dhe shumëfishon aspektet e tjera pozitive të saj. Përveç lëngut, fruti i manaferrës së detit përdoret për të bërë ëmbëlsira, verë frutash, locione dhe liker. Lëngu ose tuli përdoret në ushqime, pije dhe produkte kozmetike. Kina u bë i pari vend që nxorri lëngun e manaferrës së detit, që tani është mjaft popullore në Gjermani dhe në vendet Skandinave, për shkak të sasisë së lartë të vitaminës C dhe karotenoidëve. Përdorimet e manaferrës së detit Ul tensionin e gjakut Në mjekësinë popullore gjethet dhe lulet e shkurres janë përdorur për të kuruar artritin, ulçerën, irritimet dhe njollat e lëkurës. Çajrat e gjetheve të manaferrës përmbajnë vitamina dhe minerale, antioksidantë, amino acide dhe acide yndyrore.
Çaji përdoret veçanërisht për të ulur tensionin e gjakut, parandaluar dhe kuruar sëmundjet e enëve të gjakut dhe rritur imunitetin. Disa (3-4) kokrra të verdha të shtypura për një kupë çaj është masa e duhur, ndërsa 3 herë në ditë është sasia e duhur.
Vlerat kardiovaskulare Manaferra e detit është një burim alternativ i vitaminës C, A dhe E, por edhe të beta karotenit, mineraleve, amino acideve dhe acideve yndyrore. Një studim ka treguar që vaji i farave të manaferrës së detit është efikas për rënien në peshë. Studiuesit kinezë sugjerojnë që ekstraktet e vajit të manaferrës së detit ulin kolesterolin dhe përmirësojnë funksionet e zemrës tek pacientët që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare.
Qetëson lëkurën dhe përmirëson shikimin Kokrrat e manaferrës së detit përdoren për të parandaluar infeksionet e lëkurës, përmirësuar shikimin dhe ngadalësuar proçesin e plakjes. Çaji përdoret kundër djegieve nga dielli, irritimeve të lëkurës dhe përshpejton shërimin e saj Përdorimet shtesë Vaji i kokrrës se manaferrës ose farës së saj përdoret kundër azmës dhe kolesterolit të lartë.
Gjithashtu shërben për të ruajtur zhdërvjelltësinë mendore që goditet nga plakja, si dhe për të ulur efektet anësore të kancerit dhe trajtimeve kundër tij. Vlerat e manaferrës Eliminon skuqjet e lëkurës; shëron infeksionet; përmirëson shikimin; përmirëson shëndetin e zorrëve; përmirëson funksionimin e sistemit nervor dhe të trurit; godet inflamacionet në trup, përmirëson përqendrimin, trajton simptomat e astmës; zvogëlon njollat e lëkurës që shkaktohen nga simptoma si shytat apo fruthi, ul urinë si pasojë e përmbajtjes së Omega 7; përmirëson paraqitjen e lëkurës dhe flokëve për shkak të Omega7, 3, 6 dhe 9. Së fundmi, por jo nga rëndësia, ajo ngadalëson proçesin e plakjes dhe mbështet organet e brendshme./ATA/