Shqiptarët ndodhen të izoluar në banesat e tyre për shkak të COVID-19.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka publikuar masat e reja për koronavirusin.
Qytetarët shqiptarë mund të bëjnë pazar për 90 minuta në ditë, nga ora 05:00 e mëngjesit deri në 17: 30 të pasdites.
Ndërsa, në fundjavë nga ora 17:30 e të premtes, deri në hënën në orën 05:00 të mëngjesit, do të jetë gjithçka mbyllur dhe nuk lejohet të dalë nga banesa asnjë person.
Sa i përket personave që në këtë kohë pandemie duhet të shkojnë në punë me makinë, Policia e Shtetit ka sqaruar zgjatja e fashës së orareve nuk nënkupton “qarkullimin e pakufizuar” të mjeteve.
Sipas Policisë, lejohet nisja për në punë nga ora 05:00 deri në orën 8:00 të mëngjesit. Ndërsa, kthimi nga puna është në fashën e dytë, nga ora 16:00 deri 17:30 të pasdites.
Një ditë më parë Policia e Shtetit lëshoi edhe dronët inteligjentë, të cilët do të monitorojnë lëvizjet e qytetarëve. Territori do të kontrollohe me drone të një teknologjie të lartë, pasi do të kenë kamera me rezolucion të lartë, me të cilat do të sigurohen pamje të qarta.
Ndërkohë, ministri Sandër Lleshaj u shpreh se dronët do të pikasin të gjithë shkelësit e ligjit.