Përballë gjirit ku ngrihet kalaja e Lëkurësit qëndrojnë gjurmët e një manastiri bizantin, i njohur si Manastiri i 40 Shenjtorëve, dominues me historinë dhe gojëdhënat që e lidhin ngushtësisht me historinë e Sarandës.
Kisha ka një strukturë unike, e cila për fat të keq u dëmtua në mënyrë të parikuperueshme gjatë bombardimeve të Luftës së Dytë Botërore.
Destinacioni turistik është lehtësisht i arritshëm nga qyteti me makinë, vetëm pak kilometra nga shëtitorja kryesore.
Historia e emrit
Ajo që duhet mbajtur mend patjetër nga ky manastir, është fakti se i ka dhënë emrin qytetit të Sarandës. Duke qenë se gjuha zyrtare e Perandorisë Bizantine ishte greqishtja, në fillimet e saj kjo kishë quhej Agi Saranda, që do të thotë pikërisht 40 shenjtorë, ku me kalimin e kohës përcaktimi shenjtorë ra, dhe mbeti vetëm numri dyzet në emër- Saranda.
Manastiri i 40 Shenjtorëve rikujton historinë e dyzetë ushtarëve kristianë të cilët nuk pranuan të hiqnin dorë nga besimi i tyre pavarësisht vuajtjeve të cilat ju desh të duronin. Që prej asaj periudhe (shekulli i katërt), ushtarët konsiderohen martirë të fesë kristiane.
Arkitektura
Dikur manastir, qendër pelegrinazhi dhe sot një destinacion turistik, ndërtesa e dëmtuar nga koha shtrihet mbi kodër në një planimetri ku shquajnë kolonat, rradhët simetrike të dritareve, harqet mbi to, sallat e parasallat të ndërtuara me gurë.
Autoritetet lokale të qytetit thonë së ikonostasët e kishës përbëhen nga një rradhë kolonash mbi të cilat kalon një arkitra i zbukuruar, ndërsa në pjesën e poshtme mendohet se gurët ishin të zbukuruar. Dritaret janë të vendosura në dy rradhë, ndërtuar pranë njëra-tjetrës në një largësi që duket simetrike. Në rrënojat e kishës duken gjurmët e shkallëve të vjetra prej guri, disa gjysëm imazhe të dhomave, harqet e dritareve prej guri që shohin nga Saranda dhe deti. Ato sëbashku mbajnë mbi kodër një vepër unike të trashëgimisë njerëzore dhe te kultit.