Rama tjetër sqarim për riatdhesimin: ‘Nuk tërhiqemi nga kushti i karantinimit’

Kryeministri Edi Rama reagon sërish për operacionin e riatdhesimit të shqiptarëve, që kanë mbetur jashtë kufijve, për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi, që do të zhvillohet këtë fundjavë.

Teksa sjell shembullin e Singaporit, ku riatdhesimi i 500 studentëve dhe karantinimi i tyre në familje, rriti ndjeshëm numrin e të infektuarve, kryeministri Rama shkruan prerë se “nuk do të tërhiqemi nga kushti i karantinimit të detyruar në hotel!”

Më tej, Rama shton se do bëjë gjithçka që kostoja financiare për çdo qytetar që riatdhesohet të jetë optimale, ndërsa shton se paketa do të jetë shumë e arsyeshme për ta.

Mesazhi i Ramës:

🔴 NJË SHEMBULL KONKRET PSE RIATDHESIMI NË KËTË FAZË DUHET TË JETË ABSOLUTISHT I KONTROLLUAR:

Singapori u mbajt si shembulli më fantastik i përballjes me epideminë, me numrin mē të vogël të të infektuarve e të të vdekurve për numër popullsie. Por gjërat u përkeqësuan kur u lejua riatdhesimi i pak më shumë se 500 studentëve, të cilëve i’u kërkua të vetëkarantinoheshin në familje, pa futur në karantinë gjithë familjen. Numri i të infektuarve u rrit ndjeshëm, përmes familjarëve të të riatdhesuarve dhe ky ishte një mësim, jo vetëm për Singaporin po edhe për vendet e tjera, të cilat fillimisht ulën ndjeshëm numrin e të riatdhesuarve, duke i detyruar të karantinohen në hotele dhe pastaj filluan të ndalonin fare riatdhesimet.

Ne do të rihapim rrugën e riatdhesimeve siç e kemi bërë publike dhe nuk do të tërhiqemi nga kushti i karantinimit të detyruar në hotel! Por ju lutem të gjithë atyre të cilët nuk duan të dëgjojnë, nuk duan të lexojnë, nuk duan të kuptojnë se pse, kjo rrugë është e vetmja dhe s’ka një rrugë tjetër për të mbrojtur popullin e vendin tonë nga një valë e re infektimi, që të paktën, përpara se sa të shajnë e të mallkojnë a thua se kjo është punë qejfi apo dëshire e qeverisë për t’ua vështirësuar riatdhesimin, të të bëjnë edhe njëçikë durim derisa ta shohin konkretisht paketën e riatdhesimit! I siguroj që paketa do të jetë shumë e arsyeshme për ta dhe qeveria do të bëjë gjithçka mundet që kostoja financiare e riatdhesimit, të jetë optimale brenda kushteve ku po jetojmë e po veprojmë të gjithë.

Boll me sharje, me akuza, me hesape në hava e me mallkime, sepse kjo është koha që provon se sa di secili të jetë një shqiptar i mirë që sheh përtej hundës së vet dhe që nuk e kthen në argument mllefin apo mosinformimin për atë që flet!

Loading...