Kreu i qeverisë Edi Rama gjatë fjalës në Kuvend, tha se nëse nuk do të ishin marrë masa kufizuese në Shqipëri mund të kishte 18 mijë të vdekur, e nëse nuk do të ishin vënë të gjitha shërbimet e policisë dhe ushtrisë në terren që shqiptarët t’i respektonin ata, ku numër do të ishte 2800 viktima.
Me fjalë të larta vlerësuese, kryeministri Rama tha se komiteti teknik i ekspertëve ka bërë punë të lavdërueshme, asgjë më pak e asgjë më shumë se sa kolegët ndërkobmëtarë.
“Nëse nuk do kishte masa, ne mund të kishim 18 mijë të vdekur. Sikur masat mos të ishin respektuar flisnin për 2800 të vdekur. Nuk ka asnjë argument dhe asnjë arsye mbi baza të qëndrueshme që të mund të hedhë poshtë faktin se sot Shqipëria ia ka dalë fazës së parë të përballjes me këtë armik të padukshëm. Në kushtet e stresit, e mungesës së durimit apo të vullnetit për t’u informuar drejt nga burime zyrtare, vendase a të huaja, ka hapësirë edhe për teoritë e konstipacionit mbi një komplot të madh botëror për arsye nga më të ndryshmet që fantazia e shfrenuar edhe në kushtet e karantinës i gjen.
Ne jemi këtu, jo vetëm, së bashku me gjithë botën, fatmirësisht në një fatkeqësi ku është përfshirë gjithë bota, se të ishte vetëm këtu kushedi çdo kishim dëgjuar. Edhe vendet më të ditura janë në konfuzion, edhe OBSH është shfaqur më shumë se një herë kontradiktore me vetveten”, tha Rama.
Shefi i mazhorancës u shpreh se asnjë vend nuk ka bërë më shumë se sa Shqipëria.
“Asnjë vend në glob nuk ka bërë asgjë më shumë se sa kemi bërë ne, asnjë një gjë më shumë. Dhe jo rastësisht Shqipëria renditet mes vendeve me plagët më të lehta krahasuar me shumë vende të tjera të madhësive të ndryshme, që nga SHBA deri tek Luksemburgu.
Dhe fatmirësisht jemi gjendur në një situatë ku kemi pasur privilegjin t’i referohemi një ekspertize të nivelit më të lartë që e kemi këtu në Shqipëri, komitetit teknik të ekspertëve, që ka provuar se në këto kushte, dhe për këtë fushë, Shqipëria nuk ka kujt t’i ketë zile, fare askujt. Nuk kam mundur të lexoj asnjë ekspertë botëror të thotë ndonjë gjë të re ose të paditur për ekspertët tanë. Kjo luftë ka dy fronte. Frontin e përballjes në vijën e zjarrit, me armikun në trupin e njerëzve tanë, dhe frontin e betejës për mbijetesës sot dhe rimëkëmbjen nesër”, tha Edi Rama.