Në kuadër të nisjes së procesit të riatdhesimit për shtetasit shqiptarë që kanë mbetur jashtë vendit dhe që duan të kthehen në Shqipëri Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka publikuar kalendarin e udhëtimeve që do të kryhen këtë javë.
Sipas Ballukut në datat 18 dhe 19 prill do të jenë udhëtimet e para. Sipas njoftimit të Ministrisë së Integrimit Europian , në datën 18 do të kryhet udhëtimi Stamboll-Tiranë, më pas Tiranë-Romë dhe Romë-Tiranë. Ndërsa në datën 19, sipas njoftimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, do të kryhen fluturimet Tiranë-Milano dhe Milano-Tiranë.
Në ditët në vijim, janë parashikuar fluturime riatdhesimi edhe nga Bari, Frankfurit, Parisi dhe Londra. Shtetasit të cilët dëshirojnë të kthehen, ashtu sikundër është bërë e ditur gjatë këtyre ditëve, duhet që më parë të bëjnë rezervimin e hotelit, të vendosura në dispozicion, ku do të karantinohen për 14 ditë pas mbërritjes në Shqipëri, së bashku me pagesën, dhe më pas të bëjnë rezervimin e biletës, citon top channel.
E gjithë kjo procedurë mund të bëhet përmes aksesimit të faqes së kompanisë Air Albania, ku duhet të ndjekin procedurat e parashikuara.