Patrulla që kryenin shërbimin në zonën e Ujit të Ftohtë, Vlorë, kanë konstatuar gruan që ishte futur në ujë dhe po lëvizte në drejtim të thellësisë së detit.
Njëri nga punonjësit e Policisë, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Vlorë është futur në ujë dhe ka bërë të mundur nxjerrjen e 40-vjeçares në anë të detit dhe ka njoftuar autoambulancën për ta shoqëruar për në spital.
Në momentin që punonjësi i Policisë e ka nxjerrë nga uji, zonja ka tentuar sërish të futet në ujë dhe punonjësi i Policisë është munduar që ta ndalojë, por zonjës i ka rënë të fikët. Punonjësit e Policisë e kanë dërguar menjëherë në spitalin e Vlorës dhe pas ndihmës së parë mjekësore, 40-vjeçarja ndodhet jashtë rrezikut për jetën.