Lajmërim – Me hidhërim të thellë ju njoftojmë se sot është ndarë nga jeta Kapiten i Rangut të Parë (Rez.)

Ndahet nga jeta Kapiten i Rangut të Parë (Rez.) Sezai Osmëni

Forca Detare dhe Shoqata “Detaria Shqiptare” njofton me hidhërim të thellë se sot është ndarë nga jeta Kapiten i Rangut të Parë (Rez.) Sezai Osmëni. Sezai Osmëni lindë në Kaninë të Vlorës në vitin 1929. Ai ishte një nga studentët e parë të Shkollës “Skënderbej” dhe në vitin 1947, së bashku me 25 kursantë të tjerë skënderbegas, u dërguan për studime në Akademinë e Detarisë të ish-Jugosllavisë, në Split. Më pas, midis viteve 1948-1952, nëntoger Sezai Osmani studioi në Akademinë e Detarisë “Kirov” në Baku, ish-Bashkimi Sovjetik dhe me përfundimin e studimeve emërohet në Shkollën e Specialiteteve të Marinës Ushtarake, në Durrës.

Mbas përfundimit të studimeve dhe krijimit të Regjimentit Autonom të Katrave Silurues (RAKS) në Sazan, në janar 1954, nëtoger Sezai Osmëni emërohet komandant i KS-73 “Lavdia”, si dhe më pas komandant skuadrilje.

Midis viteve 1955-1958 toger Sezai Osmëni studioi në Akademinë e Detarisë “Voroshillov” në Leningrad, ish-Bashkimin Sovjetik (me medalje të Artë) dhe mbas kthimit emërohet në Komandën e Flotës Luftarake Detare, në detyrën e Shefit të Degës së Operacioneve të FLD. Në vitin 1964 emërohet Shef i Shtabit të Flotiljes së 66-të në Sazan dhe në vitin 1968 në Drejtorinë e Operacioneve në SHP të FA.

Në vitin 1976 Sezai Osmëni emërohet Komandant i Shkollës së Lartë të Oficerëve të FLD (Akademia e Detarisë), detyrë që e kreu deri në vitin 1980 kur doli në rezervë.

Për profesionalizmin, përkushtimin dhe atdhedashurinë që e dallonte, Kapiteni i Rangut të Parë (Rez.) Sezai Osmëni është dekoruar me shumë urdhra dhe medalje. Personeli i Forcës Detare do ta kujtojë gjithmonë Kapiten i Rangut të Parë (Rez.) Sezai Osmëni, si një nga veteranët e FLD-së që i ka qëndruar gjithmonë pranë dhe i ka udhëzuar edhe mbas daljes në rezervë.

Forca Detare dhe Shoqata “Detaria Shqiptare” i shprehin ngushëllimet më të sinqeta familjes së Kapitenit të Rangut të Parë (Rez.) Sezai Osmëni.

Loading...