Basha: Prokuroria të dalë urgjent nga karantina

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u ndal në një lidhje me “Skype” për News24 edhe tek akuzat e fundit ndaj qeverisë për tenderat sekretë.

Basha tha se nuk është problemi që këto tendera po jepen me procedurë të përshpejtuar, pasi një gjë e tillë lejohet në kohë fatkeqësie natyrore, por problemi qëndron te fakti se pajisjet janë shitur me një çmim katër herë më të lartë se çmimi i tregut.

Lidhur me këtë dhe akuzat e tjera, kryedemokrati i bëri thirrje Prokurorisë të dalë urgjentisht nga karantina dhe të hetojë. Mes të tjerash, Basha foli dhe për strategjinë e Partisë Demokratike për nxjerrjen e vendit nga kriza, ku së pari tha se duhen mbështetur të gjithë familjet.

Pjesë nga intervista:
Tenderat sekrete të qeverisë a janë të ligjshme dhe pse bëhen tani?
Basha: U bënë sekrete për të mbuluar dështimin dhe gënjeshtrën e qeverisë, që tha se i ka marrë të gjitha masat, si dhe për të fshehur cmimin, sasinë, e këtyre maskave. Ne kemi të dhëna se shumë nga këto pajisje janë zhdoganuar me ¼ e çmimit që janë shitur.

Pra, janë shitur 4 herë më shumë se çmimi. Gjendja e fatkeqësisë natyrore ja lejonte qeverisë tenderin me procedurë të përshpejtuar. Por, problemi është se i kemi blerë me 4 herë më lart se çmimi i tregut.

Informacionet janë se ka tre ditë që në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Kryeministri po punohet ethshëm për të falsifikuar shifrat.

A ka PD një strategji ekonomike për daljen nga kriza?
Po dhe e kemi shpalosur prej ditës së parë dhe e kemi përditësuar në raport me krizën. Së pari dhe më kryesorja është se kjo nuk është koha për të vazhduar për t’u mbajtur te xhaketat e dhjetë oligarkëve, por për t’i kaluar ato qindra miliona te qytetarët.

Së dyti, është momenti të marrin ndihmë të gjitha familjet, pasi deri tani nuk i kanë marrë as 3% e tyre. Për këtë, duhet të kemi një qeveri të përgjegjshme, që mendon për njerëzit.

A është PD e zhgënjyer nga SPAK?
Karantina e Prokruorisë është shumë e rrezikshme për shëndetin, jetën dhe mirëqenien e shqiptarëve. Prokuroria urgjentisht duhet të dalë nga karantina dhe me trasnparencë t’iu deklarojë qytetarëve hapat që po merren për masat.

Sa i përket qasjes sonë, kemi adoptuar një qasje që po funksionon në shumë vende, rritja e testimeve, izolimi i burimeve të infeksionit, hartimi i masave në bazë të të dhënave reale dhe jo fiktive, dhe së fundi, por më e rëndësishmja, t’i përgjigjemi me fonde situatës, këtyre 3 milionë shqiptarëve, që kanë sot nevojë më shumë se kurrë./balkanweb

Loading...