Policia e Fierit në bashkëpunim me Prokurorinë e Lushnjës kanë finalizuar një operacion duke arrestuar 4 persona të cilët janë kapur me një sasi kokaine dhe u janë gjetur 3 armë gjahu.
Seksioni për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatë së Shkallës së Parë Lushnjë, pas informacioneve të marra në rrugë operative dhe me kryerjen e veprimeve të shpejta procedurale, nëpërmjet përdorimit të metodave speciale të hetimit, kanë bërë të mundur finalizimin e operacionit policor “Divjaka”, në përfundim të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
A. Sh., 43 vjeç, banues në Divjakë;
L. B., 53 vjeç, banues në Divjakë;
H. M., 46 vjeç, banues në Tiranë;
I. V., 38 vjeç, banues në Tiranë (me detyrë punonjës policie)
Gjatë operacionit, në hyrje të qytetit të Divjakës, në lokalin e shtetasit L. B, u kapën në kushtet e flagrancës, me një sasi prej 34 gr. lëndë narkotike të dyshuar kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, nga kontrollet e banesave të tyre dhe më konkretisht në banesën e shtetasit A. Sh, në Divjakë, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 armë gjahu pa leje, 2 pajisje për prodhimin e fishekëve, si dhe një sasi baruti për prodhimin e fishekëve të gjuetisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, në ngarkim të shtetasit A. Sh., për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive”, në ngarkim të shtetasit L. B., për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe në ngarkim të shtetasve H. M. dhe I. V., për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.