Vlerat e karkalecave të detit shqiptar

Madhësia nuk ka aspak rëndësi, sidomos në rastin e karkalecave të detit. Këto specie të vogla të botës nënujore janë të pasur me vlera shëndetësore fantastike.

E për këtë arsye, por edhe falë freskisë së tyre, ato renditen në 10 ushqimet më të konsumuara dhe më të preferuar nga turistët që vizitojnë vendin tonë. Në të gjithë bregdetin tonë të bukur, veçanërisht në jug mund të gjeni karkaleca të freskët me një çmim të përballueshëm.

Në plazhet përgjatë të gjithë bregut të Jugut ofrohen fruta të freskëta deti me tepricë, që kënaqin shijet e turistëve dhe vendasve.

Në orët e para të mëngjesit, peshkatarët shesin thesaret e kapura në det. Ndaj, nëse dëshironi të konsumoni ushqime të freskëta deti dilni buzë tij rreth orës 8-9 të mëngjesit. Mbrëmjet e bukura verore nuk mund të imagjinohen pa një pjatë të shijshme me karkaleca deti.

Ato janë të mbushura me proteinë, vitaminë D, vitaminë B3, dhe zink e rrjedhimisht një ushqim pa karbohidrate, që është fantastik për njerëzit që duan të bien në peshë. Zinku, sidomos tek ata që kanë mungesë të theksuar të tij rrit nivelet e leptinës, një hormon që luan një rol të rëndësishëm në rregullimin e akumulimit të yndyrnave, oreksin dhe shpenzimit të energjisë.

Nivelet e pamjaftueshme të leptinës besohet të jenë shkaku kryesor i ngrënies së tepërt, dhe fiksimit me ushqimin. Jodi që gjendet tek karkalecat e detit ndihmon funksionimin normal të gjëndrrave të tiroides që kontrollojnë ritmet e metabolizmit në trup. Mungesa e jodit e çorienton aktivitetin e tiroides që më pas çon në shtimin në peshë. Karkalecat janë një burim unik antioksidantësh dhe substancash anti-inflamatore. Antioksidantë si astaksanthina ndihmojnë sistemin nervor dhe muskujt. Studimet tek kafshët kanë treguar që dozat e këtij antioksidanti ndihmojnë në uljen e rrezikut nga kanceri i zorrës së trashë dhe disa problemeve të lidhura me diabetin.

Karkaleci i detit është gjithashtu i pasur me selenium, mungesa e së cilës është një faktor rreziku që shkakton sëmundje të shumta zemre, diabet të tipit 2, kompromenton aftësitë mendore dhe shkakton depresion. Nëse jeni të rrezikuar nga këto simptoma dhe sëmundje, atëherë karkaleci i detit duhet të jetë pjesë e dietës suaj. Karkalecat kanë sasi të pazakonta bakri, duke u bërë në një nga ushqimet nënujore më të pasur me këtë mineral e duke ia kaluar edhe peshkut. Gjithçka varet nga një proteinë e pasur me bakër që gjendet tek karkaleci dhe që njihet si hemocianinë. Nga ana tjetër, karkaleci shpesh futet në listën e ushqimeve që duhen shmangur tek njerëzit që duan të ulin sasinë e kolesterolit. Në 110 gram karkaleca gjenden 220 miligram kolesterol ndaj ky pretendim është mëse i drejtë. E megjithatë pavarësisht përmbajtjes së lartë të kolesterolit, studime të tjera kanë treguar që yndyrnat tek karkaleci kanë edhe aspekte të tjera të mira siç është Omega-3.

Si ta përzgjidhni dhe ruani karkalecin e detit?

Si në rastin e çdo ushqimi tjetër që vjen nga deti, e mira e të mirave është që ta bleni atë në një dyqan që ka reputacion në shitjen e produkteve të freskëta. Nëse keni një person ose shitës të besuar i cili mund t’ju shesë produkte të freskëta, atëherë kjo do të ishte ideale. Karkalecat e freskët nuk duhet të jenë të qullët, por të fortë. Ato nuk duhet të kenë njolla të zeza që janë thjesht shenja të prishjes së tij. Lëkura e karkalecit nuk duhet të jetë e verdhë ose ranore që tregon se ato janë pastruar me bisulfate sodiumi. Aroma është një tjetër tregues i freskisë. Karkalecat e cilësisë së lartë mbajnë aromën e ujit të kripur, ndaj shmangni ato të paketuar në qese plastike. Nëse kanë qëndruar të hapur për shumë kohë, atëherë karkalecat do të kenë një aromë amoniaku. Ngjyra është gjithashtu një tregues i cilësisë së karkalecit. Lëkura e tyre nuk duhet të jetë në asnjë mënyrë me njolla të zeza. Mos harroni gjithashtu t’i mbani karkalecat dhe çdo produkt tjetër deti në kushte frigoriferike.

Burimi: AgroWeb

Loading...