Një grup kriminal shqiptaro-maqedonas ka rënë në prangat e policisë në Itali falë operacionit të koduar “Shqiponja” pasi trafikonin drogë të llojit kokainë, hashash dhe marijuanë në territorin e qytetit të Akuilas.
Grupi kriminal furnizohej nga shqiptarë të tjerë të cilët banonin në qytetin e Romës dhe komunat Tivoli e Cerano. Bëhet me dije se në hetim janë vënë 18 shtetas, mes të cilëve shqiptarë, italianë dhe tre maqedonas. Gjashtë prej tyre ndodhen në arrest me burg dhe akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike dhe për bashkpunim në aktivitetet kriminale.
Për të zbuluar rrjetin mësohet se policia e ka patur të vështirë pasi këta persona përdornin një gjuhë të koduar për të komunikuar mes tyre. Çdo dozë kokainë 0.5 gramë identifikohej me emrin karamele, 1 gramë kokainë njihej me emrin gisht, pesë gishta ishin të barabarta me 5 gramë kokainë, 1 gur nënkuptonte 10 gramë kokainë etj.
Para se të përgatitej për t’u shpërndarë droga fshihej në vende të caktuara si nën tokë apo në muret e varrezave në qytetin e Akuilas. Sakaq mediat italiane raportojnë se ky grup kriminal shpeshherë përdornin rrjetin social ‘WhatsApp’ ku bënin pjesë një rrjet i gjerë korrierësh.
Si prove materiale janë sekuestruar 2.5 kilogramë kokainë dhe 2 kilogramë hashash, ndërsa një dozë 0.5 gramë shitej për 50 euro.