Epidemiologu Dritan Ulqinaku foli në A2 për situatën nga pandemia koronavirus në vendin tonë. Çfarë dimë më shumë për Covid-19? A mund të ketë viruse të ngjashëm së afërmi? Kur mund të aplikohet vaksina në Shqipëri? Këto janë vetëm disa nga pyetjet të cilave epidemiologu i dha përgjigje në A2.
“Virusi nuk është zbutur, por tashmë ne mund të vërtetojmë ato teoritë e gabuara, se virusi qëndron në ajër për 3 orë, nuk është aq agresiv në sipërfaqet e tavolinave, ndërsa qëndron teoria se kontakti i afërt është shumë agresiv dhe shumë i mundshëm për t’u infektuar. Shembujt për këtë janë të shumtë, duke filluar nga rastet në burgje, në azilet e të moshuarve apo në vatrat familjare”
“Nuk ka ende një udhëzim nga ISHP për të bërë plazh. Ne i mbahemi një qëndrimit se kontakti 1 metër apo 1,5 është i rrezikshëm. Kjo do të thotë se kushdo mund të lahet nëse respekton këto distanca, në det apo në shtëpi. Ne do të rekomandojmë që fillimisht frekuentimi i plazheve të jetë vetëm nga familjarët. Ndërsa nuk mund të ndodhë një hapje masive e bareve dhe e restoranteve. Nëse do të kishim një hapje të shpejtë të bareve apo restoranteve, unë do të rekomandoja që ushqimi apo kafja të merrej me vete”.
“Nuk është diçka e re. Pjesë e protokollit të OBSH. Gjithçka është në bazë vullnetare, çdo individ i infektuar që dëshiron të eksperimentojë një ilaç të ri. Kjo është rruga për çdo ilaç të ri, i cili duhet të testohet te vullnetarët. Kjo është diçka normale për të ndihmuar shkencën. Çdo ilaç i ri që hidhet në treg ka të njëjtën rrjedhë logjike, pra duhet të kalojë nëpërmjet vullnetarëve. Kjo është e vetmja rrugë”.
“Fatkeqësisht qëndron teoria që virusi mund të rikthehet gjatë vjeshtës. Ne duhet ta marrim shumë seriozisht valën e dytë, e cila mund të vijë në tetor-nëntor. Ne duhet të “eksperimentojmë” në këto muaj, ku jemi në nivele shumë të mira”.
“Viruset pësojnë mutacione. Por, të paktën historikisht, do një periudhë 30-40 vjeçare që do të vijë një tjetër virus i ri”.
“Virusi nuk po tregon shenja se ka ndërmend të largohet. Kjo do të thotë se ne do të bashkëjetojmë me virusin për një kohë të gjatë. Vaksina edhe nëse del në shtator, të pakta janë gjasat që popullata shqiptare të ketë akses këtë vit.
Kjo varet shumë nga politikat botërore. Janë shumë shtete që lobojnë shumë përpara të tjerëve. Për gripin e derri, disa shtete lobuan për të parapaguar për të gjithë popullatën për nevojat e tyre. Edhe nëse del vaksina, sërish ajo nuk të mbron 100%. Shpresojmë në zbutjen e trendit dhe në një imunizim të tufës. Rastet e reja janë edhe një lloj vaksinimi”.