Koronavirusi, MSH: 67% e të prekurve janë shëruar. Fieri me risk të ulët për transmetim të infeksionit

Pjesa më e madhe e personave të prekur nga COVID-19 janë shëruar. Gentiana Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik, gjatë përditësimit të sotëm deklaroi se që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 795 qytetarë, por në këto momente pothuajse 67 % e tyre rezultojnë të shëruar.

Gjatë 24 orëve të fundit një tjetër zonë e Shqipërisë rezulton me risk të ulët për transmetim të infeksionit, që është Fieri dhe numri total i të shëruarve shkon në 531.

Sa i përket personave që aktualisht janë aktivë me COVID-19, Kruja është në vend të parë me 91 raste, e ndjekur nga Tirana, Kurbini, Shkodra dhe në total janë 233 persona aktivë me COVID19. Gjatë 24 orëve të fundit janë 6 raste të reja me koronavirus.

Sot janë në fuqi masat lehtësuese si lëvizja për të moshuarit deri në orën 10:00, për prindërit me fëmijët deri në 14 vjeç deri në orën 17:30, ndërsa të gjitha bizneset gjatë ditës së sotme do të jenë të mbyllura.

Duke filluar nga nesër datë 4 Maj do të shtohen “zonat e gjelbërta” edhe në bashkitë ku ka risk të ulët të transmetimit të infeksionit.

Në të gjithë vendin do të lejohet shërbimi taksi për udhëtimet ndërqytetase me deri dy pasagjerë, anëtarë të një familjeje.

Të riatdhesuarit që janë me banim në zonat e kuqe do të vetëkarantinohen në banesë.

Pavarësisht se nga e hëna do të ketë një lehtësim tjetër të masave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë distancimin fizik dhe të mbajnë higjienën personale, ndërkohë që bizneset e hapura të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë.

Loading...