Të gjithë pacientët që e kanë kaluar koronavirusin zhvillojnë antitrupa brenda 19 ditëve, ndërkohë imunizimi ndaj sëmundjes ngelet për t’u parë në të ardhmen. Deri tani sipas studimeve, asnjë person i shëruar nuk është sëmurur sërish. Epidemiologu Ilir Alimehmeti, thotë se pavarësisht lehtësimit të masave nuk kemi pasur rritje të pacientëve të prekur, çka sjell shpresë. Ai shton se arsyetimi shëndetësor nuk e justifikon këtë panik të shkaktuar nga COVID-19. Alimehmeti thekson më tej se jetës normale do t’i kthehemi shumë më shpejt se sa të prodhohet vaksina, edhe pse prodhimi i saj mund të ketë nevojë për të paktën 1-2 vite dhe efikasiteti i saj mbetet ende për t’u vërtetuar pasi të dalë.
Kurba e koronavirusit në vendin tonë po pëson ulje, veçanërisht javën e fundit. Ndërkohë qeveria ka vendosur lehtësimin e masave. Ju si epidemiolog, si e vlerësoni situatën epidemiologjike në vend?
Situata në Shqipëri fatmirësisht ka qenë vazhdimisht shumë e butë dhe me ecuri pothuajse të rrafshët. Tashmë u bënë disa javë kur rastet janë minimale, me përjashtim të situatës së krijuar në fasonerinë e Krujës që përfshiu edhe Kurbinin dhe në burgjet e Tiranës. Rastet komunitare kanë qëndruar vazhdimisht në nivele minimale. Në këtë situatë është patjetër jo vetëm e këshillueshme, por e domosdoshme të lirohen masat për të lejuar aktivitetin sa më normal të shoqërisë, gjithnjë duke e vlerësuar në dinamikë situatën.
A përbën rrezik lehtësimi i masave për ripërhapjen e koronavirusit dhe përjetimin e një situate të ngjashme me atë që kaluam rreth 2 muaj më parë?
Le ta themi më qartë. Sipas burimeve të Institutit të Statistikave (INSTAT), në Shqipëri është 62 herë më e lartë mundësia e vdekjes nga sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut se sa nga koronavirusi. Pra, risku duhet ridimensionuar dhe të vendoset në krahasim me problemet më të mëdha shëndetësore që kemi në vend, duke u kuptuar kështu që nuk është në mënyrë absolute problemi shëndetësor kryesor i yni.
Por, për t’iu përgjigjur pyetjes suaj ndaj lehtësimit të masave, mund të vini re që masat janë lehtësuar në letër prej të paktën dy javësh, ndërkohë që në praktikë besoj e kemi të qartë të gjithë që lehtësimi ka qenë shumë herë më i lartë si rrjedhojë e sjelljes së popullatës sonë. E megjithatë, nuk kemi vënë re asnjë rritje të rasteve këto dy javë, apo jo? Kjo na jep shpresa të larta që lehtësimi i masave nuk do të sjellë asnjë çudi, edhe pse situata do të vijojë të monitorohet dinamikisht.
Shikojmë që qytetarët tashmë nuk kanë më frikë, duket sikur ata e kanë mposhtur virusin, pasi ecin të shkujdesur, pa maska, pa doreza dhe madje qëndrojnë edhe në grup. Cilat janë këshillat tuaja, në mënyrë që të shmangim një tjetër valë infektimi në Shqipëri?
Karakteristika kryesore e evolucionit të njerëzimit është pikërisht përshtatja ndaj rreziqeve dhe kërcënimeve. Nuk duhet të habitemi se si përshtatemi edhe ndaj koronavirusit. E analizuam, e kuptuam, e integruam në mënyrën tonë të jetesës dhe pa asnjë çudi, u përshtatëm. Sjelljet e rrënjosura thellë në gjenetikën biologjike dhe sociale nuk çrrënjosen dot nga evente kalimtare dhe me impakt të ulët si ky virus.
Për sa u përket këshillave, ato janë këshillat bazë e të përhershme që na kanë dhënë prindërit dhe gjyshërit që kur ishim foshnje. Higjienë sa më e mirë personale dhe ambientale, si edhe njëfarë distance sigurie nga personat e panjohur apo të sëmurë. Dorezat nuk kanë asnjë dobi, madje shumë studime kanë treguar se mbajtja e tyre shoqërohet me dëme jo vetëm të lëkurës, por edhe të transmetimit të koronavirusit përmes dukurisë së njohur si “ndotja e ndërmjetësuar”. Maskat kanë efekt në komunitet vetëm nëse mbajtësi i maskës është vetë i sëmurë. Në rast se personi është i shëndetshëm, maska nuk shërben.
Gjithashtu, maska këshillohet për personat që punojnë në kontakt me shumë persona, si punonjësit e marketeve, sportelistët etj.. Megjithatë, evidencat mbi maskat janë ende të paqarta, ndryshe nga dorezat ku këshilla është mospërdorimi i tyre. Grupimet mbi 50 veta janë qartësisht element që duhet shmangur, ndërkohë që nuk ka evidenca të qarta për grupimet më të vogla se ky numër. Por, për të qëndruar në anën e sigurt të shëndetit, le të themi që grupimet duhet të jenë jo më të mëdha se 5-10 persona. Si përfundim, për evitimin e një vale tjetër mjafton higjiena dhe njëfarë distance e shëndetshme, pa shkuar në kushte paniku.