U zhduk 4 ditë më parë, ende asgjë nuk dihet për fatin e Martin Selenit, nga Vlora.
34-vjeçari u zhduk pasditen e 4 majit, ndërsa kolegëve të punës u tha se do të tërhiqte para në bankë.
Bashkëshortja e tij, në një lidhje telefonike për Report TV, në emisionin ‘Pa gjurmë’ nuk di të thotë arsyet pse Martini është larguar, pasi së bashku kishin marrëdhënie shumë të mira.
Bashkëshortja e cila është shtatzënë, thotë se pas pushimit të drekës në punë, ai është kthyer në shtëpi dhe më pas është larguar përsëri rreth ores 10: 55. Ajo që bashkëshortja vuri re atë ditë ishte heshtja e tij, ndërsa thotë se 14 vite më parë Martini ka qënë përdorues i lëndëve narkotike.
‘Ditën e hënë shkoi në punë në orën 6:30 në mëngjes. Punonte në një fasoneri këtu në Vlorë. Në orën 10 e 30 erdhi në shtëpi, hëngri bukë në pushimin e drekës dhe ishte i heshtur. Më tha do lë punën në orën 15:00 dhe do punoj edhe pasdite, tek e njëjta punë. Ishte i heshtur dhe u largua në orën 10:55.
Në orën 15: 10 ishte larguar nga puna duke thënë se do të shkonte në bankë për të marr rrogën dhe nuk është kthyer më. Kam telefonuar me të gjithë në punë dhe ai nuk ishte kthyer. Kam bërë denoncim edhe në polici. Ne ishim shumë të lumtur, nuk kishte arsye të largohej, ne presim një fëmijë.
Nuk kishte konflikte me njeri. Atë ditë nuk e ka marrë telefonin me vete. Nuk e di pse nuk e mori, ia kërkova por nuk e mori telefonin me vete. Unë jam shqetësuar në orën 16:00 pasi rrugën nga puna në shtëpi e bën për 7 minuta’, rrëfen bashkëshortja.
Bashkëshortja e Martinit thotë se në shtëpi kishte lënë telefonin dhe kishte marrë me vete vetëm kartën e bankës.
‘Në shtëpi mungonte karta e bankës dhe nuk më kishte thënë se do të tërhiqte para, se ne i bëjmë bashkë gjërat. Më tepër se 200 mijë lekë nuk ka pasur, se ishte paga mujore. Kjo është hera e parë që ai është larguar.
Kemi kontaktuar me të gjithë, nuk e dimë ku ndodhet. Personi i fundit që e ka takuar ka qenë një punëtor që ka bërë rrugën deri tek dalja e ndërmarrjes. Unë kuptova që ishte shumë i heshtur, nuk e dija çdo bluante në kokë. Dyshoj tek heshtja e tij. Ai shoqërohej gjithnjë me mua.
Ai s’ka folur me askënd. Kolegët e punës thonë se ka qenë pak i çorientuar atë pasdite kur u zhduk. Kur është larguar nga shtëpia ka patur të veshur një xhup të kuq, të hollë, xhinse të zeza. Kam shkuar në bankë dhe paratë nuk i ka tërhequr. Nuk ka patur probleme shëndetësore dhe ishte tip i qeshur dhe i qetë.
Më parë ka qenë përdorues i lëndëve narkotike, para 14 viteve. Ne kemi një vit njohje dhe 5 muaj bashkëjetesë’, tha bashkëshortja.
Në pritje të një fëmijë, ndërsa ende është në ankth për kthimin e Martinit, bashkëshortja bënë apel për këdo ka informacion për 34-vjeçarin. ‘Të kthehet për fëmijën që pret.
Kushdo që e ka parë të kthej babain tek fëmija i tij’, përfundon rrëfimin e saj me këtë mesazh bashkëshortja e Martinit.