Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se aktualisht ka nisur asfaltimi i kilometrit të parë, ndërsa po punohet edhe në dy kilometrat e fundit me shtresat rrugore dhe veprat e artit.
“Tashmë, ka përfunduar 22 për qind e punimeve dhe vazhdon puna për gërmimin në shkëmb dhe në dhé të butë, depozitimin e materialeve të dala nga gërmimet, ndërtimin e trasesë, ndërtim strukturash të 5 urave, tombinove, 3 nënkalimeve të betonit”, bën të ditur ARRSH.
Po ashtu ARRSH thotë se kanë nisur edhe punimet për mbrojtjen e skarpateve.
Ndërtimi i kësaj vepre do të bëjë të mundur lehtësimin e qarkullimit të automjeteve kryesisht gjatë sezonit turistik kur edhe fluksi i vizitorëve në qytetin e Vlorës, dhe gjithë bregdetin e jugut, është i lartë.
Projekti i bypass-it të Vlorës, me gjatësi prej 29 kilometrash, nis në fundin jugor të autostradës Levan-Vlorë, për të përfunduar në lindje të qytetit të Orikumit ku bashkohet me rrugën nacionale Orikum-Sarandë.
E gjithë vepra do të jetë plotësisht e aksesueshme në fillim të vitit 2021./atsh