Me kërkesë të policisë së Tiranës pas një hetimi një vjeçar gjykata ka vendosur sekuestro preventive ndaj pasurive 3.7 mln euro të dy vëllezërve me inicialet Sh. H. 43 vjeç dhe E. H. 42 vjeç, banues në Tiranë me rekorde kriminale për vrasje, drogë dhe prostitucion në Belgjikë.
Policia deklaron se Sh. H. ka rekorde kriminale në Belgjikë, ku ka kryer një vrasje para disa vitesh. Në vitin 2009 të dy vëllezërit Sh. H e E. H. dhe 4 të tjerë janë arrestuar nga Policia Gjyqësore Federale në Gent, Belgjikë, si pjesëtarë të një grupi kriminal, për veprat penale “Trafikimi i grave për prostitucion” dhe “Substancat narkotike”.
Po sipas policisë, E. H. ka qenë i përfshirë në hetime nga Prokuroria e Gentit/Belgjikë në dosjen “GIRANA” të vitit 2008, për veprat penale “Trafikim i qenieve njerëzore me qëllim shfrytëzimi për prostitucion” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”.
Në këtë dosje E. H. ka qenë i dyshuari kryesor dhe është arrestuar në Belgjikë, në datën 02.02.2009. Gjithashtu rezulton se nga viti 2002 deri në vitin 2009, ka qenë i burgosur në Belgjikë, për veprën penale “Trafikim dhe shfrytëzim i prostitucionit”.
Pasuria e sekuestruar:
4 apartamente në Tiranë, 2 apartamente në Sarandë, 1 ambient biznesi trekatësh në Laprakë;
1 njësi tregtare, 1 palestër, 7 garazhe dhe dy aktivitete biznesi në Tiranë;
4 automjete BMË X5 dhe llogari bankare në euro, usd dhe lekë dhe gjendjen aktuale në këto llogari në tri banka të nivelit të dytë