Ndërprerja e furnizimit me ujë që përdorej për vaditjen e tokave bujqësore në fshatin Fushëbardhë ishte në qendër të takimit të zhvilluar sot mes prefektit të qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj dhe drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho dhe drejtorit rajonal të ARRSH-së, Andi Shkurta.
Banorët e këtij fshati janë ankuar se punimet për ndërtimin e aksit rrugor Kardhiq-Delvinë kanë sjellë si pasojë edhe ndërprerjen e furnizimit me ujë që përdorej për vaditjen e tokave bujqësore, një problematikë madhore duke patur parasysh edhe sezonin e thatë të verës që po vjen.
Drejtori i ARRSH-së, Verdho, gjatë takimit ka premtuar organizimin e një takimi me banorët e këtij fshati ku do të jenë të pranishëm edhe administratori i firmës ndërtuese, po ashtu edhe përfaqësues të zyrës projektimit, për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare problematikës me të cilën këta banorë po përballen çdo ditë.
Gjithashtu Prefekti i qarkut zhvilloi edhe një takim pune në ambientet e firmës kontraktore “Cobial”, përgjegjëse për ndërtimin e këtij aksi rrugor, me administratorin Flamur Pazi dhe inxhinierin e firmës projektuese ing. Edi Çela, të cilët kanë premtuar gjithashtu për një zgjidhje të shpejtë në favor të komunitetit të zonës që është prekur nga ndërprerja e punimeve të këtij aksi rrugor./atsh