Gjykata e Tiranës gjeti fajtor dhe dënoi me 25 vite burg italianin Massimiliano Croce, për abuzim seksual ndaj vajzës së bashkëjetueses së tij shqiptare.
Croce, i dënuar dhe më herët në shtetin italian për abuzim seksual me të mitur, ka përsëritur sërish veprimet e tij, duke përfituar nga besimi i dhënë në 3 vite bashkëjetesë. Çdo gjë është zbuluar pas arrestimit me qëllim ekstradimi në Itali, ku e priste një dënim prej 16 vitesh për të njëjtën vepër penale.
47-vjeçari është diplomuar për “Pedagogji për të mitur”, ndërsa duke iu referuar mediave italiane, Croce ka një doktoraturë mbi pedofilinë online. Në asnjë rast, italiani nuk ka pranuar krimet ndaj të miturve, as në hetimet e kryera në Itali dhe as në rastin e abuzimit në Shqipëri.
Ndërkohë, në mbrojtjen e tij, italiani ka përdorur dhe një përpjekje për martesë, që është bërë mes tij dhe bashkëjetueses gjatë kohës që ai ishte i arrestuar, duke thënë se është i pafajshëm. Nga ana tjetër, dëshmia e vajzës, akt-ekspertimi ku ajo ka rezultuar e defloruar, kanë bindur gjykatën për fajësinë e tij. Në argumentimin e bërë nga gjykata, thuhet se arsimimi i tij në pedagogji për fëmijët ia ka lehtësuar ndikimin që ka pasur të vajza e mitur.
Gjýkata argumenton më tej se të gjitha rrethanat e ngjarjes vërtetojnë se vepra penale është bërë me dashje direkte, që konsiderohet dhe si forma më e lartë e fajit.
“Gjykata, në rastin konkret, merr parasysh faktin se i pandehuri rezulton me gjendje civile i divorcuar, faktin që është me arsim të lartë dhe që ka pasur në saj të këtij arsimimi pedagogji për të mitur, një ndikim të madh te viktima e mitur, duke u referuar shkallës së zhvillimit të saj intelektual.
Po kështu, duhet marrë në konsideratë lloji i fajësisë ku rezulton se veprimet në tërësinë e tyre janë kryer në formën e dashjes direkt, formë e cila përbën edhe shkallën më të lartë të fajit”, shkruhet në vendim.
DËSHMIA E VAJZËS
“Ndërsa sipas procesverbalit për marrjen e të dhënave nga personat që kanë dijeni për veprën pènale, datë 26.10.2018, viktima e mitur L.Ç. ka deklaruar: “Në verën e vitit 2016 mami me vëllain nuk ishin në shtëpi dhe unë kam qenë e vetme në shtëpi me Massimilianon. Ai më zhveshi me çoi për dore në dhomën e gjumit të mamit në krevatin dopio, u zhvesh edhe vetë dhe u shtri mbi mua, me hapi këmbët dhe unë ndjeva dhimbje në fund të barkut. Kjo gjë zgjati rreth 5 minuta, më pas Massimiliano u ngrit shkoi në tualet. Massimiliano më ka kërkuar edhe herë të tjera të shkoja te dhoma e gjumit, por unë nuk pranoja, ai bëhej me nerva, bërtiste, i shante të gjithë dhe thoshte fjalë të pista ose gjuante vëllain. Kur pyetet se çfarë mendimi ke për Massimilianon, vajza përgjigjet se e kam shumë inat pasi më dhunonte fizikisht dhe nga mendja.”
DËSHMIA E NËNËS
“Ndërsa shtetasja K. Bramalushaj, e pyetur në gjykim, ka deklaruar se: Me Massimilianon është njohur kur jetonte te pallati me shigjeta. Ai thoshte se ka pasur një lokal me qira para se ta njihte, por ai nuk ka punuar asnjëherë, duke deklaruar se ajo është kujdesur për ushqimin. Po kështu, ka deklaruar se ai ka ushtruar dhunë ndaj fëmijëve. Ajo deklaron se ka shkuar disa herë për punë në Itali ku ka qëndruar rreth 2- 3 muaj dhe fëmijët ia ka lënë të pandehurit. Ajo i ka dërguar pagesa nga rroga me autobusë. Po kështu, edhe në Shqipëri deklaron se ka punuar punë të ndryshme, ndërsa Massimilano nuk ka lëvizur jashtë, gjithmonë gënjente duke thënë që do shkojmë këtë muaj, ose ik ti njih njerëzit e mi, por asnjëherë nuk ka lëvizur nga Shqipëria.
Fëmijët nuk kanë folur, pasi kanë pasur frikë, por gjithmonë kanë qenë të trembur dhe tani janë më të qetë. Lidhur me akuzën, deklaron se e ka marrë vesh vetëm kur janë pyetur fëmijët. Unë kisha dijeni vetëm për pjesën e dhunës dhe jo për faktin që akuzohet. Gjithashtu, ajo ka deklaruar se i ka çuar fëmijët në burg për të takuar Massimilianon dy herë për t’i kërkuar llogari për të vërtetën. Por nga këto takime, ajo deklaron se ai nuk ishte njeriu që unë e dija se ishte. Po kështu, deklaron se kërkesa për martesë është bërë nga avokati dhe i pandehuri për të larë veten e vet.”
DËSHMIA E ITALIANIT
“I pandehuri, lidhur më akuzën, deklaroi se: Nuk kam lidhje me faktet dhe akuzën. Nga provat e mbledhura nga akuza duken qartë që nuk jam fajtor. Intervista e djalit, i cili ka deklaruar se nuk është dhunuar, është bërë në presionin e një psikologu që quhet Igli. Ndërsa intervista e vajzës është bërë në një moment të dobët psikologjik. Dëshmia e K., në gjykatë ishte shumë konfuze, pasi pretendon dhe për dhunë në familje, ndërkohë që nuk e ka ngritur për 4 vjet si pretendim. K., më ka takuar rregullisht dhe në dhjetor 2018, bashkë me një mikun tim dhe me fëmijën, ka ardhur në burg.
Kam dhe një letër që ma ka dërguar djali, i cili shprehet se i mungoj dhe se priste me padurim. Ai shkruante dhe në emër të nënës, që për të bërë martesën i duheshin disa dokumente dhe madje më përshëndet me fjalën baba e shkruan dhe në emër të motrës se tij L.. Vajza, kur është pyetur, gjithmonë më ka konsideruar si prind dhe K. M., është ndier gjithmonë i sigurt dhe madje kanë deklaruar para psikologut se deklarimet i ka bërë nën presion, pasi mendonte se do të përfundonte në jetimore.
Profili im nuk përmbush asnjë nga identitetet për t’u konsideruar si një person për të përdorur fëmijët në mënyrë seksuale. Këto elemente janë analizuar në raportin e psikologes. Përfundimisht, kërkoj që të vlerësohen me kujdes provat, pasi jam i pafajshëm.”