Mjeku stomatolog Arlind Lala ndërroi jetë mbrëmjen e kaluar në moshën 36-vjeçare.
Presidenti i Urdhrit të Stomatologut, Nikoll Deda konfirmoi lajmin e hidhur duke shprehur ngushëllimet për familjen dhe kolegët e tij.
“Me hidhërim të thellë ju njoftojmë se është ndarë nga jeta Dr.Arlind Lala, lindur më 9 Korrik 1984, në qytetin e Durrësit.
Ai u diplomua në vitin 2007 pranë Fakultetit të Mjekësisë, Dega Stomatologji. Dr.Arlindi ushtronte aktivitetin e tij si dentist në qytetin e Shijakut.
Në emër të Urdhrit të Stomatologut i shpreh ngushëllime familjes, bashkëshortes e të gjithë miqve e kolegëve të tij.
U prehsh në paqe Dr.Arlindi! Presidenti i U.S.SH,” shkroi Deda në postimin e tij.
Nuk dihet ende arsyeja që i ka marrë jetën stomatologut.
Ai është i njohur për publikun jo vetëm për punën si stomatolog, por për faktin iu vu dy herë eksploziv në vitin 2017 në aktivitetet e tij private.
Hera e parë ishte në klinikën e tij dentare, ndërsa hera e dytë në një magazinë që e kishte marrë me qera.