Rama: Mos u çudisni nëse Tirana kthehet nga zonë e kuqe në zonë të mbyllur fare

Kryeministri Edi Rama tha mbrëmjen e së enjtes në “Opinion” se nëse numrat e të infektuarve në Tiranë rriten, kryeqyteti jo vetëm që nuk do të kthehet në zonë të gjelbër, por rrezikon të kthehet nga zonë e kuqe në zonë të mbyllur fare.

“Unë do ju them shqiptarëve vetëm kaq, do të keni ditën të më gjykoni, por mos më kërkoni të bëj të mirin kur faktet nuk ma lejojnë. Dje është shkarkuar shefi i komisariatit që mbulon zonën e Parkut të Liqenit. Është ndjekur politika që të mos veprohet shumë me gjoba dhe për të mos bërë presion, për të dhënë mesazhin që ne jemi bashkë në këtë luftë. Por nëse kjo punë do të vazhdojë, e para një herë numrat do të na flasin, e dyta do të kthehemi prapë mbrapa. Mos u çudisni, që në vend që të bëhet zonë e gjelbër, mbas 1 jave, mbas 10 ditësh, Tirana të kthehet nga zonë e kuqe në zonë e mbyllur fare. Mos u çudisni nëse do të mbyllemi prapë, të shtunën, të dielën e të premten e kështu me radhë.”

Rama tha se rreziku sot është i madh sepse po hapemi.

“Ne kemi hapur pjesën më të madhe të vendit në një masë të madhe, kemi disa zona të kuqe që kanë një regjim më të kufizuar. Jam shumë i paduruar të shikoj numrat sot, nesër, pasnesër nga Tirana. Tirana do të mbetet zonë e kuqe përsëri sepse numrat nuk japin indikacionin se Tirana duhet të kthehet në zonë të gjelbër. Tirana do të mbetet zonë e kuqe përsëri, është vatra me rrezikshmërinë më të madhe sepse ka intensitet shumë të madh veprimtarie etj. Por, brenda kësaj zone të kuqe lehtësimi i bërë është i madh në krahasim me ku ishim. Tirana sipas të gjitha gjasave, nëse numrat do të na flasin siç po na flasin, siç na folën sot, të shikojmë analizat sonte natën, nesër, pasnesër, do të jetë e fundit që do të çlirohet sepse situata nuk është premtuese. Në datën 18 do të hapet shërbimi në bare dhe restorante në ambientet e jashtme. Orari në Tiranë do të mbetet po ai edhe javën e ardhshme.”

Rama tha se hapja e bareve dhe lokaleve në Tiranë, përbën një kërcënim më vete dhe nëse shtrihet edhe orari menjëherë, atëherë, vetvetiu tendenca do të jetë për ta zgjeruar me shpejtësi aktivitetin e bareve dhe lokaleve.

“Nuk është vetëm Lulzim Basha që shkon dhe thyen ligjin në mënyrë spektakolare dhe brutale, me kamera.” /tvklan.al

Loading...