Gjatë fjalës së tij, Tare tha se do të dëshironte që të merrte pjesë në protestë, por pjesëmarrja e opozitës në të, ka bërë që ai të hezitojë.
Po ashtu, ai mendon se bashkë me të, edhe shumë persona të tjerë që e duan teatrin dhe duan të jenë pjesëmarrës në protestë, hezitojnë po për këtë arsye. Tare thotë se krerët e opozitës (Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi), kanë qëndruar për vite në pushtet dhe gjatë qeverisjes së tyre, ata nuk kanë bërë asgjë për teatrin dhe aktorët.
“Unë nuk do të shkoj në protestë, sepse kam parë që çështja e teatrit është bërë thellësisht politike. Njerëz pa kauz. Kjo ja heq vlerën debatit.
Sepse po të shikosh, të dy liderët e opozitës kanë qenë 10 vite në pushtet, nuk kanë bërë asgjë për teatrin, as për aktorët, as për godinën, nuk kanë bërë asgjë fare. Pardje nuk e patë si u rrahën ato njerëzit atje. Edhe shumë njerëz që unë njoh, njerëz të mirë, e donin teatrin dhe e duan, që jam i sigurtë që do të dilnin atje. Në momentin që shikojnë që e gjithë kauza e teatrit po bëhet teatër, nuk shkon njeri.
Nuk shkojnë sepse nuk e ndjejnë veten të përfaqësuar. Çdo gjë në jetë është politikë. Por unë mendoj që nuk dal dot në një çështje politike, sepse nuk e shikoj që politika ka qenë e ndershme me teatrin. Ato që qëndruan dhe bënë atë pjesën e rezistencës, ato kanë respektin e shumë njerëzve, por jo pjesën e politikës”, u shpreh Auron Tare.