Lamtumira e Merkelit: Mandati i fundit si kancelare

Pas rezultatit katastrofik të partisë së saj në zgjedhjet e landit të Hessenit, Angela Merkel merr vendimin kyç: Nuk do të rikandidojë më si kancelare, pas mbarimit të këtij mandati, ndërsa në dhjetor do të largohet dhe nga presidenca e CDU-së.

“Jam gati të punoj si kancelare deri në fund të mandatit 2021 por më pas nuk do të rikandidoj.” u shpreh Merkel

Kancelarja gjermane gjithashtu nuk do të rikandidojë më për postin e kryetares së CDU-së në zgjedhjet e dhjetorit.

Merkel dha deklaratën të hënën, pasi partia e saj u dobësua rëndë nga zgjedhjet në shtetin e Hessein te Dielen.

Rezultatet paraprake tregojnë se CDU fitoi 27 për qind të votave, socialidemokratët dhe të Gjelbrit nga 19%. Ashtu si dhe pritej partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë mori 13% të votave, duke i dhënë mundësinë t’i bashkohet për herë të parë legjislaturës së re.

Pavarësisht fitores, partia e drejtuar prej Merkel mori rreth 10 për qind më pak se votimet e fundit.

Kryetarja e SPD-së, Andrea Nales, e cila është në aleancë me kancelaren Merkel, tha të dielën se rezultatet e dobëta në vijimësi janë pasojë e mungesës së një itinerari të qartë politik nga ana e CDU-së.

Madje ajo kërcënoi se do të marrë parasysh daljen nga koalicioni qeverisës nëse partneri i saj nuk fokusohet në çështjet më me interes për popullin.

Merkel prej 13 vitesh mban postin e kancelares së Gjermanisë. Megjithatë nga viti i shkuar pas kritikave mbi politikat e emigracionit, lidershipi i saj është lëkundur ndjeshëm.

Madje për shkak të numrit të mandateve në parlament ajo u detyrua të bëjë aleancë me të majtët socialdemokratë.

Merkel gjithashtu është, kryetarja më jetëgjatë e Unionit të Kristiandemokratëve, e zgjedhur prej vitit 2000.

Loading...