Biznesmeni Sinan Idriz, Presidenti i klubit të futbollit Flamurtari, është denoncuar në Prokurorinë e Stambollit nga biznesmeni turk Adnan Polat duke akuzuar biznesmenin shqiptar se po i mban peng 3.5 milionë Dollarë.
Për të folur për këtë çështje, Sinan Idrizi ka qenë sonte në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, ku i është përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarit Blendi Fevziu.
Sinan Idrizi është gjithashtu aksioner me 41% i kompanisë ajrore “Air Albania”, për të cilën sqaroi se ka investuar nga financat e tij.
“Kur ne kemi bërë investimin tonë, së bashku me Turkish kemi menduar të ndërtojmë një kompani shqiptare. Gjithë investimi që kemi bërë atje nuk ka asnjë Dollarë nga fondet publike. Pjesa ime është investim i fondeve të mia, pjesa e Turkish është pjesë e saj”.
Idrizi u pyet nga Blendi Fevziu sa është pasuria e tij, por nuk dha një përgjigje të saktë.
Blendi Fevziu: Sa i pasur jeni ju?
Sinan Idrizi: I pasur, meqë është një nga ditët e Ramazanit, pasuria për mua është 2 metër katrorë.
Blendi Fevziu: Sa i pasur jeni ju ose sa vlen kompania juaj?
Sinan Idrizi: Unë kam probleme me aritmetikën.
Blendi Fevziu: Po si jeni bërë kaq i pasur duke pasur probleme me aritmetikën?
Sinan Idrizi: Kam probleme me aritmetikën e atij mburravecit që është në majë të kotecit dhe tregon se çfarë ka dhe çfarë bën. Unë nuk kam për të treguar se çfarë kam dhe çfarë bëj. Unë dua të punoj, pjesën tjetër pastaj vlerësojeni ju! /tvklan