Kryeministri Edi Rama mohon që të ketë marrë një platformë nga presidenti Meta, ndryshe nga sa ka pretenduar ky i fundit sot, e megjithatë, përtej kësaj kreu i qeverisë shprehet se është i gatshëm që të ulet në tryezë dialogu përfshirë këtu edhe ndërkombëtarët për Drejtësinë dhe Integrimin.
Ironia nuk ka munguar në reagimin kreut të qeverisë, si një përgjigje e deklaratës së presidentit Ilir Meta, i cili i ka ftuar edhe njëherë në një mbledhje urgjente, siç ai e cilëson, të gjitha palët edhe ndërkombëtarët, në të mirë të integrimit të vendit në Bashkimit Europian.
“Presidenti nuk më ka dorëzuar asnjë platformë, por jam gati të ulem në çdo moment me të, me opozitën brenda/jashtëparlamentare e me partnerët e Reformës në Drejtësi, që t’i vëmë pikat mbi “i” të gjitha pikave të të gjitha palëve në shqip/anglisht, se teatri ra, iku e na la. Jemi në prag të miratimit të Planit të Veprimit për Negociatat në Këshillin Kombëtar të Integrimit, s’ka rast më të mirë që Presidenti, Opozita, Institucionet e Drejtësisë,Partnerët Ndërkombëtarë për Drejtësinë dhe Integrimin, të mblidhen URGJENT në një tryezë me karta të hapura. Presidenti t’i lerë apelet natën për 20 burra e ditën për 11 pika! Opozita t’i lerë ultimatumet trupore e sharjet fëminore! Të dy bashkë ta lenë teatrin e mbledhjeve të komitetit të shpëtimit, se Shqipëria, parlamenti, qeveria, s’kanë kohë të luajnë “e ka kush e ka” dezhurnin”, shkruan Rama.