Ish-ministri i Shëndetësisë, Leonard Solis, tha se Shqipëria e ka përballuar me sukses pandeminë e COVID-19 në aspektin shëndetësor ndërsa nuk ka ndodhur e njëjta gjë nga ana ekonomike.
Ai pohoi se është p[ër t’u përshëndetur ana shëndetësore në të gjitha vendet e Evropës Lindore, ndërsa sa i përket aspektit ekonomik, situata sipas tij është dramatike.
“Kemi një anë shëndetësore dhe një ekonomike. E përballuam me kosto të lartë, por fatmirësisht nga ana shëndetësore ishte një nga skenarët më të mirë të mundshëm. Në të gjitha vendet e Evropës Lindore u dhanë lajme të mira. Është një pamje shumë e mirë nga ana shëndetësore. Sa i përket ekonomisë është dramatike, sepse ndodhi pas dy tërmeteve dhe kjo e rrënoi gjendjen ekonomike tonën. Ky ishte një dëm i shtrirë në mënyrë kapilare”, tha Solis në “Ilva Now”.
Ai ka kritikuar qeverinë e drejtuar nga kryeministri Edi Rama duke pohuar se me masat e aplikuara nga pasur shumë abuzime. Sipas tij, në nisje të implementimit të tyre ato ishin korrekte edhe për shkak të frikës së shkaktonte situata, por që më pas me to u abuzua, ndërsa shtoi se zbatimi i tyre është abuzim me pushtetin dhe se njerëzit nuk mund të konsiderohen si bagëti
“Sa i përket masave, në fillim masat ishin ato që duheshin dhe ishin obligative. Ishin të detyrueshme, sepse frika ishte shumë e madhe. Më duket se qeveria dhe kryeministri po e ekzagjeron. Secili është i interesuar për të ardhmen e vet. Nuk kemi të bëjmë me bagëti, por kemi të bëjmë me njerëz. Jo më pjesa policore, por secili të marrë masat e duhura. Ky është një abuzim me pushtetin.
Që do bëhen hapa të kujdesshëm duhet të bëhen hapa. Populli duhet të dëgjohet dhe jo të trajtohet si bagëti. Janë dhënë urdhra shumë absurde, sepse shpeshherë kanë qenë kontradiktore. Populli është ndërgjegjësuar, hapat duhet të jenë të kujdesshëm, dhe iu duhet lënë më shumë fjala profesionistëve”, shtoi ai.