Pas lajmit që qarkulloi dje në mediat online se thuhej se një 7-vjeçar ishte larguar nga banesa në Durrës, vjen sqarimi nga policia e qytetit bregdetar. Sipas bluve të Durrësit nëna e 7-vjeçarit me inicialet F.V., më datë 1 dhjetor nuk ka bërë asnjë denoncim për zhdukjen e djalit.
Madje policia sqaron se ditën e djeshme efektivë kanë shkuar në banesën e zonjës, ndërsa ka verifikuar se djali ndodhej në banesë.
Sqarimi i policisë
Në lidhje me një lajm të publikuar në media online me pretendimin se ka humbur një fëmijë i mitur dhe Policia e Durrësit nuk ka shfaqur interes dhe nuk i ka marrë denoncimin të nenës, sqarojmë se:
Policia e Plazhit është vënë në dijeni për humbjen e fëmijës F.V. duke u telefonuar nga një qytetare, më datat 20.11.2018 dhe 24.11.2018. Menjëherë uniformat blu janë vënë në lëvizje duke ushtruar kontrolle dhe brenda disa orëve (në të dy rastet e mësipërme) e kanë gjetur fëmijën dhe ia kanë dorëzuar të nenes se saj.
Sqarojmë se më datë 01.12.2018 nuk ka patur asnjë telefonatë apo kallëzim që të ketë humbur shtetasi i mitur F.V.
E ëma e djalit, shtetasja L.V. nuk është paraqitur në asnjë rast në ambientet e policisë për të denoncuar humbjen e djalit.
Ditën e djeshme kanë shkuar në banesë forcat e Policisë bashkë me Shefin e Stacionit të Policisë Plazh dhe ka rezultuar se djali ishte në banesë.
Policia e Durrësit, jo vetëm për rastin në fjalë, por për çdo denoncim që vjen në adresë të uniformave blu është trajtuar me seriozitet, përgjegjshmëri dhe konform procedurave ligjore ku çdo veprim është i dokumentuar dhe lehtësisht i vërtetueshëm.
(ed.me/BalkanWeb)