Gazetarja shqiptare prezanton djalin, për herë të parë në intervistë me të

Gazetarja Fjodora Fjora ka vendosur së fundmi të prezantojë djalin e saj, Alteon, para publikut.

 Pak ditë më parë ata u shfaqën në një sfilatë krah njëri-tjetrit, ndërsa këtë të mërkurë nënë e bir ishin të ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, ku tha se “nuk kemi më pse të përbëjmë lajm, jemi një mama me djalin e vet si 1 miliardë mama të tjera në të gjithë botën.”

Rudina: Fjodora jam kurioze të të pyes sepse ka prindër që zgjedhin që fëmijën ta shfaqin që të vogël, ka të tjerë që ruhen dhe zgjedhin një moment të dytë. Ti mendove se ky ishte momenti i përshtatshëm për ta shfaqur Alteon publikisht, pse? Pse ndryshove mendim?

Fjodora Fjora: Çfarë ndodhi? Ja ta them unë… Duke qenë se historinë time me Teon e kam treguar për herë të parë këtu tek ti dhe ka qenë sigurisht një histori që ka qenë shumë në vëmendje të mediave, Teo po rritet, shumë shpejt do të jetë në gjendje të hapë vetë faqet e internetit, të Google-ojë, dhe të shohë çka qenë jeta e tij, çfarë ndodh rreth mamit të tij dhe rreth vetes së tij. Duke qenë se e pashë që ishte e pamundur, unë jam përpjekur shumë që Teon gjatë gjithë kësaj kohe përpiqem ta ekspozoj sa më pak, edhe pse i vogël, nuk diskutohet kjo gjë. Por e shihja që kurioziteti i njerëzve ishte shumë i madh dhe në momentin e parë që kapnin qoftë edhe diçka, ai lajm apo ajo fotografi transformohej dhe reagimi më pas i njerëzve ishte shumë i madh.

Dhe gati-gati filloi të më shqetësonte kjo gjë. Dhe mendova kur Joni (Peçi) më propozoi, mendova se Teo është rritur mjaftueshëm. Teo tani do të shkojë në klasë të parë. Teo i merr vendimet vetë, unë e pyeta nëse ka dëshirë të sfilojë me mua dhe ai tha ‘po unë dua të sfidoj me ty, unë kam dëshirë ta bëj këtë gjë’. Dhe mendova që ishte momenti i duhur për të bërë këtë përballje publike të dy sëbashku dhe për të thënë që ne jemi shumë mirë, shumë të lumtur. Dhe nuk kemi më pse të përbëjmë lajm, jemi një mama me djalin e vet si 1 miliardë mama të tjera në të gjithë botën të cilat përpiqen, herë pas here ia dalin, herë pas here është e vështirë, herë pas herë është sfidë, por edhe lumturi e madhe që buron nga të gjitha këto.

Rudina: Plus që unë mendoj që varet shumë edhe nga karakteri i fëmijës, nëse ai nuk është shumë i ndrojtur…

Fjodora Fjora: Ekzakt, Teo është fëmijë shumë i sigurt.

Rudina: Besoj që nuk e ka problem edhe këtë vëmendjen.

Fjodora Fjora: Është një fëmijë që nuk e pengon ekrani, prandaj edhe unë e thashë. Në të gjitha festat e parashkollorit është ai që hap festën, është shumë i përgatitur, është një fëmijë që ka dëshirë ta shfaqë veten e tij dhe unë mendova se ky është momenti, pse jo, mami të fillojë ta marrë me vete në ambientet ku punon.

Dhe duke qenë se unë jam shpesh e ftuar në emisione dhe ai më ka parë në emisione, le ta shohë një herë veten e vet dhe unë sot i premtova rrugës kur po vinim këtu që do t’i tregoj magjinë e televizionit dhe ai sot, ti e pe vetë fytyrën e tij kur po hynim në studio, ka një reagim që rri me gojë hapur, sepse çdo gjë këtu mesa duket, e impresionon dhe këto do të jenë kujtimet që ai do të ketë.

Por megjithatë, Fjora tha se nuk mendon se do të dalë sërish publikisht me Alteon për disa vite të tjera, nëse këtë nuk ia kërkon vetë ai më herët.

Loading...