Drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame gjatë mbledhjes së Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese ka komentuar edhe ndërtimet në Unazën e Re. Lame bëri përgjegjëse për ndërtimet masive në këtë zonë, Partinë Demokratike, e cila sipas tij edhe gjatë kohës që do linte pushtetin (në 2013), legalizoi 49 objekte.
“Legalizimi i Unazës nga pikëpamja formale dhe legalizimet e bëra në kohe janë të rregullta. Nga pikëpamja morale janë 49 legalizime të bëra në korrik- shtator 2013, pra që kishin lënë vulën, pa u formuar qeveria e re.
Edhe brenda saj duke e ditur shumë mirë që Unaza do zgjerohej nuk e kishin publikuar këtë projekt të gjerë dhe ky moslajmërim i njerëzve bëri që të krijohej shtegu i ndërtimit por dhe me atë shtrat të Unazës që parashikon”, u shpreh ai.
Gjatë komisionit u prezantua edhe projekt-ligji për Kadastën dhe Kalimin e Pronësisë. Lame tha se procesi 24-vjeçar i regjistrimit të pronës jo vetëm që ka qenë difektoz, por ka zvarritur shumë çështje ndër vite.
Drejtori i ALUIZNI-t,teksa bëri bilancin e regjistrimeve të pasurive të palujtshme, u shpreh se nga 4.4 mln pasuri, 2.5 mln rezultojnë me probleme.
“Të mbyllet një herë e mirë kapitulli i pronës. Procesi 24 vjeçar i regjistrimit të pronës ka qenë difektoz, është zvarritur për vite. Gjendemi me 4.4 milion pasuri nga të cilat, 2.5 milionë rezultojnë me probleme”, tha Lame.
(BalkanWeb)