Drejtori i Arkivave i del në krah Paskal Milos: Po me Skënderbeun ç’patën?

Deklarata e historianit Paskal Milo para dy viteve ku ai thoshte se Skënderbeu ishe sllav dhe familja e tij me prejardhje serbe është rikthyer edhe njëherë të jetë temë e “nxehtë” diskutimi.

Historianë të shumtë dhe jo vetëm vendosën ta rikomentonin atë video, duke i dalë kundër historianit Milo dhe duke mbrojtur shqiptarinë e heroit tonë kombëtar.

Por drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido i ka dalë në krah historianit Paskal Milo, pasi e quan të tepërt gjithë këtë reagim kundër Milos.

Ai thotë se kushdo që thotë se Milo çmitizon Skënderbeun nuk ka lexuar asnjë nga librat e tij për Heroin tonë Kombëtar, ndërsa shprehet se Skënderbeu lindi ortodoks, u rrit mysliman dhe vdiq i krishterë, ndaj nuk duhet të jetë problem për një komb që e ka vlerë të qenit shumëfetar.

Shkruan Ardit Bido:

Po me Skënderbeun ç’patën?

Interpretimi im se Vojsava Kastrioti me shumë gjasa ka qenë arbërore dhe jo sllave është i kahershëm dhe publik. Mirëpo, kjo turrolukunia që do të rrahë gjoksin duke u turrur ndaj prof. Milos për një mendim të tij është e habitshme në dy drejtime. Së pari, të thuash që Milo çmitizon Skënderbeun do të thotë që nuk ke lexuar veprat e tij mbi heroin tonë kombëtar. Sepse Skënderbeu ishte mitik edhe kur i zhveshim çfarëdo shtrese që i ka veshur Rilindja dhe komunizmi. Së dyti, ta trajtosh si sakrilegj që “mund” (për mua asesi) të ketë pasur nënën sllave, do të thotë që nuk e njeh as kontekstin e kohës as që Ismail Qemali ka pasur gruan greke e as që gruaja e perandorit serb të kohës ishte kunata e Skënderbeut, arbërorja (Shën) Angjelina Arianiti. Së fundmi, të trajtosh si sakrilegj faktin historik që Skënderbeu lindi ortodoks, u rrit mysliman dhe vdiq i krishterë krah Papës e Patriarkut njëherazi, është xhelozi ndaj një kombi që e ka vlerë të qenit shumëfetar.

Loading...