Deputeti socialist: ‘T’i kërkojmë falje nënës së 15 vjeçarit’

Deputeti socialist Dritan Bici kërkon që partia që ai përfaqëson të kërkojë falje për dhunën e policisë ndaj 15 vjeçarit te Liqeni, videon që shfaqi drejtori Veliu për nënën e tij dhe për prishjen e Tetrit Kombëtar.

Instituti i Studimeve Politike (ISP) vazhdimisht ka kritikuar deputetët që kanë heshtur ndaj shkeljes së të drejtave të njeriut, kanë miratuar ligje abuzive apo që kanë krijuar skandale publike. Kritika është e drejtë dhe e nevojshme, por edhe vlerësimi është i drejtë dhe i nevojshëm kur ka vend për vlerësime pozitive.

Në rastin konkret, ISP mirëpret reflektimin e deputetit të PS Dritan Bici, i cili në një shënim në rrjetet sociale në faqen e koleges Eelena Xhina midis të tjerash, shkruan “Ne duhet te ngremë zërin tone qe elemente te dhunshëm brenda policisë te mos na prishin imazhin e policisë tone… ka elemente nga ajo kohe apo polica te rinj qe u ka hipur vetja ne qef apo qe duan te duken para eproreve te tyre sa mire e ka bere detyren…. Pergjegjesine duhet ta ndjejme te gjithë ne deputetet e grupit parlamentar socialist dhe duhet te kishim dënuar qofte dhunen tek teatri qofte dhe dhunen ndaj atij te mituri. Bashkohem me ju E. per t’i kerkuar falje nenes se atij te mituri por dhe gjithe opinionit publik per pergjegjesine qe duhej te mbante policia dhe shteti”.

Po ashtu deputetja Elena Xhina në një shënim në rrjetet sociale ka pranuar se gjatë mbledhjes së Komisionit u ndodh në një situatë të vështirë, kërkoi ndjesë ndaj familjes dhe “askush nga ne nuk komentoi, nuk interpretoi dhe as diskutoi në ato çaste mbi pamjet që u shfaqën, për t’ia lënë një momenti të dytë, më të qetë dhe ndoshta dhe më të kuptueshëm”.

Reagimi i saj shprehu me të drejtë edhe shqetësimin ndaj etiketimeve denigruese që qytetarë të ndryshëm i kanë adresuar asaj.

ISP shpreson se edhe Kuvendi, Komisioni i Sigurisë Kombëtare, qeveria dhe partitë parlamentare do te kenë një reagim zyrtar ndaj rastit në fjalë, i cili përbën një prej rasteve flagrante të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe abuzimit me postin zyrtar.

Loading...