Shahini reagon për herë të parë për përdhunimin e të miturës: ‘Jam zemërthyer për secilin rast të ngacmimit apo abuzimit seksual me të mitur’

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka reaguar për herë të parë në lidhje me përdhunimin e 15-vjeçares nga roja i shkollës, disa ditë më parë në periferi të Tiranës.

Në një reagim të në Facebook, ministrja Shahini shkruan se në Shqipëri ky fenomen i rëndë ka kulturë fshehjeje dhe mosraportimi, duke shtuar se kjo është fusha ku po punohet në shkollë.

Sipas ministres Shahini, ky fenomen nuk zgjidhet vetëm me Kodin Penal, por duhet të ndryshojë gjithë kultura, mënyra se si shoqëria jonë trajton gratë, vajzat, grupet e brishta shoqërore.

Gjithashtu një mesazh ministrja e Arsimit e kishte edhe për mediat.

“Media luan një rol kyç në këtë mes. Do të dëshiroja shumë që media të raportonte në mënyrë të drejtë rastet e abuzimit seksual. Ajo që kam parë deri tani ka qenë një tmerr i vërtetë. Përshkrim detajesh identifikuese të viktimave dhe fajësim indirekt i viktimave. Tmerr!” e mbyll Shahini reagimin e saj, ndërsa nuk ka asnjë reagim për kërkesën e opozitës, e cila i kërkoi dorëheqjen.

Reagimi i ministres Besa Shahini

Jam zemërthyer për secilin rast të ngacmimit apo abuzimit seksual me të mitur, të cilin nuk kemi arritur ta parandalojmë.

Për secilin rast të zbuluar apo denoncuar janë marrë menjëherë këto masa:

• pezullim apo shkarkim nga puna MENJËHERË, e të gjithë stafit e të shkollës të cilët kanë qenë të përfshirë direkt apo indirekt në këto raste (përfshirë drejtues, psikologë apo mësues kujdestar që nuk kanë qenë të përfshirë në rast, por kanë patur për detyrë të kujdesen për mirëqënien e nxënësve);

• hetim i thelluar i gjendjes së përgjithshme në shkollë përmes intervistave me nxënës, prindër dhe komunitetin shkollor;

• ofrim i shërbimit psiko-social, dhe mbështetje e përgjithshme shkollore dhe pas-shkollore, për viktimat e ngacmimit apo abuzimit.

Gjithashtu, organet e drejtësisë kanë ndjekur penalisht secilin nga rastet e denoncuara. Pra, NUK ka “kulturë mosndëshkueshmërie” në Shqipëri ndaj rasteve të abuzimit seksual, siç ishin shprehur disa OJF. Kur rastet denoncohen, personat përgjegjës ndëshkohen menjëherë.

Por, qartazi ka kulturë fshehjeje dhe mosraportimi, deri sa bëhet shumë vonë. Kjo është ajo që po synojmë ta ndryshojmë, së paku në shkollë, në hapësirat që do të duhej të ishin të sigurta për të gjithë fëmijët.

Dua të përsëris mesazhin që dhashë ditën e hënë: përgëzoj nxënësit tanë që kanë gjetur kurajon të denoncojnë bullizmin, dhunën apo abuzimin që kanë përjetuar. Kjo është e vetmja mënyrë që të rriturit dhe institucionet të kenë mundësi të dënojnë këtë dhunë dhe të sigurohen që nuk do të ndodhë më në të ardhmen.

Shpesh viktimat nuk denoncojnë dhunën që kanë përjetuar, sepse ndihen me faj apo me turp për atë që u ka ndodhur. POR, FAJI DHE TURPI I TAKOJNË ABUZUESIT!

Që shkolla të shndërrohet në hapësirë të sigurtë, ne po dyfishojmë numrin e psikologëve dhe punonjësve socialë dhe po trajnojmë ata për adresimin e ndjeshëm te çështjet e ngacmimit dhe abuzimit seksual. Si dhe po bëjmë edhe një fushatë sensibilizuese për nxënësit, që t’i njohim ata me mbrojtjen që u ofron si rregullorja e arsimit parauniversitar, ashtu edhe Kodi Penal.

Por, po e përsëris, nuk zgjidhjet kjo çështje vetëm me Kodin Penal. Duhet të ndryshojë gjithë kultura, mënyra se si shoqëria jonë trajton gratë, vajzat, grupet e brishta shoqërore. E gjithë kjo duhet të ndryshojë.

Media luan një rol kyç në këtë mes. Do të dëshiroja shumë që media të raportonte në mënyrë të drejtë rastet e abuzimit seksual. Ajo që kam parë deri tani ka qenë një tmerr i vërtetë. Përshkrim detajesh identifikuese të viktimave dhe fajësim indirekt i viktimave. Tmerr! Por, është ky raportim, që është reflektim i kulturës së përgjithshme të trajtimit të kësaj teme të ndjeshme, që na bën të kuptojmë se sa shumë punë kemi për t’u shndërruar në një shoqëri më të mirë, për gratë, për grupet e brishta dhe për fëmijët tanë.

Loading...