Tepelenë/ Matohasanaj, fshati në rrënojat ilire, atraksion i veçantë për turistët

Matohasanaj, fshati 30 km larg qytetit të Tepelenës që njihet ndryshe edhe si “Gjirokastra e vogël”, ngrihet në rrënojat ilire që datojnë përgjatë shekujve XIX – XX, duke ngjallur gjithnjë e më shumë, një interes të shtuar të vizitorëve dhe turistëve të huaj për pa parë nga afër këtë fshat.
Bashkia Tepelenë ka publikuar një seri fotosh nga ky fshat, me histori të veçantë dhe shpjegon se, banorët përgjatë shek. XIX – XX kanë jetuar më së shumti në emigracion dhe fshatin që shikojmë sot, është ngritur nga projektet e Izmirit, Turqi, në kohën e pushtimit turk.
Fshat ka një një pozitë tejet të veçantë gjeografike. Rrethohet nga male të lartë dhe ngrihet sipër një kodër tejet panoramike, ku lehtësisht kuptohet pse në të gjendet edhe një fortifikim mjaft interesant antik.
Sipas dokumentimeve të pakta historike edhe arkeologjike fortifikimi thuhet se i përket shek. III – II para Krishtit ndërtuar fillimisht nga nomadët, me gurë masivë në formë trapezoide dhe kuadratike pa llaç, e sigurisht më pas shfaqen shenjat e ndërhyrjeve restauruese me blloqe guri të latuar në formë drejtkëndore.
Disa gjurmë sipërfaqësore shfaqin dukshëm gurët e vendosur në gjysmëharku që mesa duket ka qenë amfiteatri, e megjithatë përveç shpalljes si monument kulture (1963) asnjë kërkim nuk është bërë më tej.
Matohasanaj është pjesë e ciklit të pashkëputur të vendbanimeve antike që nis pa u shtyrë më tej nga: Hadrianopoli – Antigonea – Fortifikimi antik i Leklit – Tepelena, Qyteza Ilirike e Horës – Vendbanimi antik i Matohasanajt, Amanatia – Ploçë – Apolonia, me një distancë 15 – 25 km nga njëra-tjetra.
Sot fshati ka rreth 40 banesa 2 katëshe, e bashkë me të kanë mbijetuar kultura e zakonet e zonës.
“Mund të jenë banorët më mikpritës të Lopësit. Të thjesht në dukje, të qetë edhe me një respekt të veçantë për mikun e tyre… Ajo që vlen të thuhet është fakti se ky fshat ka thesare historike, që e bëjnë një potencial të rëndësishëm për tu vizituar nga turistët”, bën të ditur bashkia Tepelenë.
Ndërsa i fton vizitorët që nëse kanë ndërmend të qëndrojnë dy ditë në Tepelenë, mund të bëhen udhërrëfyes historik, për ta bërë këtë fshat të bukur të mos vdesë nga harresa./atsh

Loading...