Disa qytetarë në Britaninë e Madhe shkatërruan xhamin e prapmë të një makine, pasi një qen kishte më shumë se 30 minuta që ndodhej brenda automjetit të mbyllur dhe rrezikonte që të ngordhte nga temperaturat e larta.
Disa qytetarë e panë qenin brenda një makine, në një vend parkingu në Swansea. Kalimtarët lajmëruan autoritetet për rastin në fjalë, por reagimi i tyre vonoi. Në këto kushte, pa miratimin e pronarit të automjetit, qytetarët thyejnë xhamin e prapmë të makinës ku ndodhej qeni dhe e shpëtojnë atë.
Zoey Thornton, 29 vjeç, i cili ndihmoi në shpëtimin e kafshës, u shpreh se për më shumë se 30 minuta askush nuk u bë i gjallë, duke drejtuar gishtin ndaj pronarit të makinës dhe autoriteteve policore.
“Ne vazhduam të shohim nëse gjithçka ishte në rregull, por qeni nisi të qajë dhe ishte vërtetë shumë vapë. Xhami i makinës ishte pak i hapur, por në atë temperaturë ai nuk mund të mbijetonte dhe shumë. Kështu që vepruam, thyem xhamin e makinës dhe shpëtuam qenin. Unë kam vetë qen dhe nuk e lë kurrë në ato kushte”, tha Thornton.
Ndërkaq, për rastin ka reaguar dhe policia.
“Ne morëm njoftimin se një qen ishte i mbyllur brenda një makine në një vend parkingu në Swansea. Ne shkuam në vendngjarje por qeni ishte liruar. Ne këshilluam pronarin e kafshës që të mos përsëriten skena të tilla në të ardhmen”, tha një zëdhënës i policisë.