Pas takimit që zhvilloi me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, Zaida Çobo, nëna e të miturit të dhunuar nga policia dhe publikimit të një video false se ishte me armë, është tërhequr nga padia për shpifje dhe cenim imazhi të saj që bëri kundrejt Ardi Veliut.
Në një prononcim për Report Tv, Çobo shprehet se është tërhequr nga padia ku Veliu i nxori video me armë false në Komisionin e Sigurisë.
Në padi Çobo kërkoi 1 mln lekë dëmshpërblim, por pas ndjesës publike dhe personale të marrë nga Ardi Veliu, ajo është tërhequr nga padia.
“Arsyeja e tërheqjes vjen pasi jam e surprizuar nga veprimi i drejtorit Ardi Veliu pasi pavarësisht se më kërkoi një takim dhe më kërkoi falje fakti që ai e beri dhe publike më çliroi akoma më shumë nga ky moment i vështirë që kam kaluar. Ndihem e gëzuar që kërkoi ndjesë për atë çka bëri dhe ndihem më mirë tani që ai keqkuptim është sqaruar me drejtorin Veliu”, tha Çobo për Report Tv.
Megjithatë Zaida Çobo sqaron për Report Tv se nuk tërhiqet nga padia për dhunimin e djalit të saj 15-vjeçar nga policia pse theu karantinën.