Kanabisi me llampa/ Veliu: OSHEE të kontrollojë konsumet e dyshimta të energjisë elektrike

Për të shmangur zbulimin nga kontrollet ajrore, grupet kriminale në Shqipëri kanë zgjedhur mënyra alternative të kultivimit të kanabisit. 

Një letër e kryepolicit Ardi Veliu, drejtuar vartësve, zbulon se tashmë kanabisi po kultivohet në ambiente të mbyllura.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u kërkon drejtuesve të policive të bashkëpunojnë me autoritetet vendore për të identifikuar pronarët e magazinave, depove, tuneleve, ish-reparteve ushtarake, shtëpi të braktisura, serave, staneve e të tjera, që shfrytëzojnë trafikantët.

Në këtë proces, ndihma kërkohet edhe nga OSHEE për identifikimin e konsumatorëve të cilët mund të përdorin energjinë elektrike më shumë se sa nevojat e tyre, që rrjedhimisht çon tek dyshimet për kultivim kanabisi.

Në letrën, të cilën Report Tv e siguron, Veliu i shpreh hapur kritikat për uniformat blu për kontrollin jo të plotë në zonat me risk të lartë për kultivimin e kanabisit, fenomen që njohu rritje në vitin 2019.

Për ministrin e Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj, përpjekjet e policisë me kanabisin duhet të japin rezultat brenda qershorit, ndërsa kërkoi bashkëpunim me autoritetet vendore për identifikimin e çdo zone ku kultivohet droga.

Gjatë një takimi me drejtues të policisë ai tha se në monitorim do të përdoren edhe drone, në bashkëpunim dhe me Forcat e Armatosura.

Loading...