Shtimi i madh i rasteve të reja, flet mjeku Pipero: Nuk u respektuan rregullat

Numri i infektimeve me COVID-19 në Shqipëri ka shënuar sot një tjetër rekord, ndërsa në 24 orët e fundit janë identifikuar 42 raste të reja nga 311 testime të kryera.

Të infektuarit janë kontakte të pacientëve mbartës, por nuk mungojnë dhe vatrat e reja në Durrës, Berat, Pukë e Shkodër.

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero tha për Euronews Albania se numri i shtuar i rasteve të ditëve të fundit lidhet me disa faktorë, duke nisur që nga hapja dhe papërgjegjshmëria e qytetarëve në respektimin e masave, e deri tek grumbullimet dhe mitingjet e zhvilluara kohët e fundit ku gjithashtu nuk u respektua asnjë masë.

Ai bëri thirrje që të respektohet distanca fizike dhe vendosja e maskës si masat më të thjeshta përr të minimizuar përhapjen e virusit.

“Jo se nuk prisnin raste të shtuara, por ka ndodhur që jo vetëm ka raste të shtuara, po edhe rritje e rasteve të shtruara në spital që tregon se duhet analizuar situata. Ka disa arsye që kanë çuar në rritjen e rasteve: e para hapja dhe përjetimi i tyre në mënyrë jo shumë të përgjegjshme nga qytetarët. Ndërkohë, mosrespektimi i protokolleve nga shumë punëdhënës, si baret restorante që nuk kanë respektuar protokollet. Gjithashtu, kemi edhe një fakt që ndoshta edhe brenda spitaleve është ulur vëmendja si kudo.

Shqetësues është numri i rasteve në spital, pavarësisht gravitetit të sëmundjes. Ndaj bëj apel në radhë të parë për bluzat e bardha, për të respektuar të gjitha masat parandaluese dhe t’u them qytetarëve që virusi vazhdon të qarkullojë, edhe pse ka rënë transmetueshmëria dhe virulenca.

Nëse koha e ekspozimit është e gjatë, mundësia për të shkaktuar sëmundje është e madhe. Ka koinciduar që gjatë kësaj kohe kanë ndodhur grumbullime apo mitingje ku nuk janë respektuar rregullat e distancës dhe vendosja e maskave. Është shumë e thjeshtë; distancë dhe maskë”, tha mjeku.

Z. Pipero shprehu besimin se nuk do të jetë një valë të dytë të COVID-19 në vjeshtë, sikundër dëgjojmë të thuhet gjerësisht, edhe në rang ekspertësh. Sipas tij, edhe nëse virusi do të ketë vazhdimësi, ajo do të vijë duke rënë.

“Kjo nuk është vala e dytë. Përgjithësisht viruset kanë sezonin e tyre, është tjetër gjë grafiku dhe tjetër kurba apo trendi. Grafiku është dinamik, kurban tendencë.

Rastet e shtuara lidhen me këto faktorë. Madje, do të thosha në opinionin tim nuk do të ketë një valë të dytë. unë i përkas asaj pjese të specialistëve që besojnë fort se nuk do ketë një valë të dytë. Edhe nëse do ketë një vazhdimësi, ajo do vijë duke rënë. Edhe nëse ky virus nuk pëson ndryshime gjenetike, nuk bëhet fjalë për një valë të dytë.

Kam qenë në kundërshtim me disa direktiva të OBSH siç është ajo që asimptomatikët që nuk e transmetojnë virusin. Vetë OBSH doli sot dhe e përgënjeshtroi. Ka qenë një situatë jo vetëm me shumë të panjohura, por edhe me shumë mangësi nga OBSH që na ja vënë edhe ne ekspertëve para vështirësive”, tha mjeku infeksionist teksa përsëriti se kujdesi duhet të jetë si në fillim të epidemisë.

Loading...