Bypass-i i Fierit, gati javën e ardhshme

Bypass-i i Fierit, një veprat kryesore të infrastrukturës rrugore shqiptare, jetik për lëvizjen sidomos gjatë sezonit veror do të jetë gati javën që vjen.

Kjo u bë e ditur nga Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Derven, Fushë-Krujë ku nisi sot puna për ndërtimin e shkollës së re “Kastrioti” dhe kopshtit të integruar si objekt më vete në hapësirën e saj, pas shkatërrimit të 26 nëntorit.

Segmenti në fjalë ka një rëndësi të veçantë pasi bën të mundur lidhjen e tre akseve Lushnjë-Fier, Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelenë, por njëkohësisht bën lehtësisht më të aksesueshëm bregdetin e jugut. Ndërtimi i këtij aksi dhe vendosja në funksion shkurton me 35 minuta distancën Tiranë-Vlorë.

Përfaqësuesi i kompanisë që po kryen punimet për ndërtimin e bypass-it informoi kryeministrin se është në përfundim procesi i vendosjes së sinjalistikës dhe do të jetë gati javën që vjen.

Bypassi i Fierit është një nga segmentet kyçe të autostradës Veri-Jug. Sipas projektit ai ka gjatësi afersisht 22 km, me vlerë prej 60 milion Euro financuar nga BERZH dhe BEI. Ndërtimi i tij ka filluar vite më parë, por ende nuk ka përfunduar.//atsh

Loading...