Kryeministri Edi Rama publikoi sot një video të Unionit Rajonal të Bashkive Shqiptare, ku personazhe të njohur të artit, muzikës, dhe kulturës shqiptare ftojnë shqiptarët në të gjithë botën që të vizitojnë vendin e tyre për pushime.
“Mirëmëngjes me këtë kartolinë joshëse të Unionit Rajonal të Bashkive Shqiptare”, shprehet Rama.
Balerini i famshëm shqiptar Kledi Kadiu shprehet: “A e dimë sa të bukura janë vendet tona? Aty ku zemra jote thërret. Aty ku na bashkon një qiell. Të njëjtat dëshira. Shqipëria. Eja në shtëpinë tënde”.
“Aty ku janë kujtimet e vjetra e të presin të rejat. Eja në shtëpinë tënde. Kthehu në Malësinë tënde”, shprehet modelja Emina Cunmulaj.
“Aty ku Zoti na bekoi me çdo të mirë. Mësojmë. Shijojmë. Argëtohemi. Eksplorojmë “, theksojnë pjesëtarët e grupit muzikor Elita 5.
“Eja në shtëpi. Është fole e jotja sot e 1 mijë vjet Kosova”, shprehet këngëtari Sabri Fejzullahu./atsh