Genc Melonashi
Kush ka qënë pjesëmarrës drekash apo darkash, në dasma apo gëzime të tjera, nuk i ka shpëtuar dot ndjesisë së këndshme apo të besdisshme të këngëve masive që atje këndohen.
Një vrojtues i kujdesshëm mund të vër re disa gjëra interesante.
Të çudit psh fakti që kënga labe, ndonse e pa shoqëruar me instrumenta muzikorë, ecën më mirë dhe më masivisht se sa këngët e krahinave të tjera. Por të çudit gjithashtu fakti që, sa herë merret një këngë disi më e kultivuar, siç janë disa këngë qytetare korçare apo shkodrane, ka një stonim masiv deri në besdisje.
Tek kënga labe ka një thjeshtësi naïve. Ka një lider këngëtar, një ose dy persona që e presin, ndërsa të tjerët mbajnë të famshmen ISO. Mendoj se në këtë iso harmonizohet përsosmërisht jo vetëm ideja e bashkimit rreth një lideri këngëtar, por edhe rreth një lideri luftarak.
Me sa duket këngët labe janë më shqiptare, më autoktone më të pastra, me të cilat veshi i popullit, gjenetikisht, në shekuj, është më i mësuar dhe i përqafon më shpejt dhe më mirë. Brenda tyre, madje edhe në ato që i këndojnë dashurisë, ka një përzjerje harmonike të burrërisë dhe të një lloj egërsie hyjnore.
Dikush, ashpërsisht, këngët labe i ka cilësuar si “britma lufte”. Unë them se ai, padashur, i ka bërë një kompliment të fuqishëm këngës labe. Ajo vërtetë është një britmë lufte, për liri, për pavarësi, për demokraci, dashuri dhe begati.
Ndërkohë, në këngët e tjera që përmëndëm, sa do më të bukura në dukje, janë më të papastra, më pak shqiptare, sepse mbase kanë diçka greke, turke apo sllave.
Por sipas meje, ka një arsye tjetër më të thellë. Labëria, me malet e saj të egra, madje edhe një pjesë e malësisë së veriut, kanë qënë strehëzat më të sigurta të mbrojtjes së genit shqiptar, të zakoneve, të gjuhës, të ushqimit shpirtëror të popullit tonë nga ndikimi hordhive të panumurta që kanë pushtuar vendin tonë.
Në këto strehëza me hapësira të ngushta ka jetuar dhe jeton një popull, ku mëshirohet nektari i shqiptarizmit, i patriotizmit më solid, që e ndien veten zot i gjithë Shqipërisë. Nuk është e rastit që kundërpërgjigjet ndaj pushtuesëve historikisht kanë ardhur nga popullsia e këtyre trevave. Nuk është e rastit gjithashtu, që edhe mjaftë ngjarje me karakter patriotik e politik, që shpesh kanë vendosur fatet e kombit tonë, e kanë zanafillën në këto treva.
Sa më i kërcënuar një popull, aq më shumë e ndien nevojën për të qënë i bashkuar. Për të qënë i bashkuar në halle, në gëzime, në këngë, në valle, në luftë. Dhe të gjitha këto kanë nevojë për një lider dhe një popull të bashkuar përreth tij, për një ISO të shëndetshme, idealiste, jo servile dhe jo hipokrite…