Mjeku Pëllumb Pipero tha nga mesi i majit se pas datës 18, kur ndodhi edhe hapja e madhe, do të kishte vetëm pak raste, dhe se në fund të qershorit do ishte fundi i virusit, por mesa duket ka rezultuar e kundërta.
I ftuar në Ora News, mjeku infeksionist Pëllumb Pipero shtoi se ky është një virus tekanjoz dhe i paparashikueshëm, duke pasur raste të shtuara, kryesisht në vendet e Ballkanit.
“Unë mbas datës 18 maj mendova që nuk do të dal më në televizor, mendova se nuk do të ketë më arsye për të dalë, së bashku me kolegët e mi. Unë e kam deklaruar që fundi i majit do të ketë rastet e fundit dhe qershori do të ketë raste sporadike dhe do të mbyllet në fund të qershorit, por kam thënë se do të jetë e vështirë për të bërë parashikime.
Ky është një virus tekanjoz dhe me shumë të panjohura, mesa duket ka funksionuar edhe në rastin tonë, kryesisht në vendet Ballkanike, duke pasur raste të shtuara. Kjo është një situatë që duhet analizuar. Mendoj që është e domosdoshme që të kemi kujdes për distancën fizike, maskën dhe dorezat për duart”, tha Pipero.