Ndonëse ishte parashikuar që linjat e transportit urban të nisnin punën ditën e hënë, Unioni i Shoqatave të Transportit Publik nuk ka pranuar që të rifillojë aktivitetin pa u plotësuar kushtet e tyre.
Përmes një deklarate për mediat, Unioni deklaroi se nuk do të rifillojnë punën më 15 qershor, siç vendosi qeveria, deri në momentin kur të plotësohen kërkesat e tyre.
“Është e pamundur të respektohet protokolli”, – tha shoqata, ndërsa listoi edhe kushtet. Si pikë të parë, shoqata kërkon që transporti të jetë falas për udhëtarët gjatë pandemisë, por të subvencionohen nga shteti. Gjithashtu ata kërkojnë që subvencionim nga shteti për vendet bosh në mjete për shkak të pandemisë.
Nëse kjo pikë nuk plotësohet, atëherë ata kërkojnë që 30% e kapacitetit që mbetet bosh të subvencionohet nga shteti. Por prapë sipas tyre është e pamundur që të ketë distancim fizik edhe në 70% të kapacitetit.
Me planin e qeverisë për rifillimin e punës me 70% të kapacitetit ata kërkojnë heqjen e akcizës dhe taksave për karburantin, heqjen e TVSH-së së transportit gjatë vitit 2020 dhe në vitin 2021 TVSH-ja për transportin të shkojë 6%. “Kemi pasur takime dhe premtime dhe nuk besojmë se për dy ditë do të ketë ndryshim shumë të madh”, – tha përfaqësuesit e shoqatave.