Gjatë kësaj jave Tirana u trondit nga një atentat mafioz, ku mbeti viktimë Hekuran Billa.
Sapo ndodhi atentati me pasojë vdekjen e Billës, u zbulua se Billa ishte një emër I njohur edhe në Angli, teksa mediat britanike shkruanin se Billa ka kryer vrasje atje në vitin 2008.
Viktima ka vrarë Prel Markun në një lokal në Angli, më 14 tetor të vitit 2006. Billa u shpall fajtor për vrasje në tentativë dhe vrasje të Prel Markut dhe u dënua me burgim të përjetshëm.
Më pas u ekstradua në Shqipëri, ku dhe vuajti dënimin në burgun e Fushë-Krujës. Billa kishte rreth një vit që ishte liruar nga burgu dhe pas daljes, ai i ishte përkushtuar biznesit.
Tashmë çështja u përket organeve të drejtësisë, që po hetojnë për rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë. Por ajo që ne gazetarëve të shtypit rozë na “joshi” në një histori vrasjeje është pikërisht njohja që viktima kishte me Noizyn.
Burime për “Gazeta Shqiptare” kanë bërë me dije se 40-vjeçari dhe reperi Noizy ishin miq të vjetër.
Njohja e tyre daton që në kohën që Noizy jetonte në Angli dhe nuk ishte i famshëm. Ashtu siç dihet, reperi i famshëm shumë vite më parë ka jetuar në Angli. Ka qenë kjo, pika e takimit të dy djemve, që mesa duket kanë qenë miq të mirë. Madje, burimet bëjnë me dije se shpesh djemtë edhe kanë ushtruar së bashku sportin e boksit. Vetë Noizy ka folur për atë periudhë të jetës së tij, madje ka publikuar edhe video e foto, ku shfaqej duke bërë boks në ambiente të jashtme. Duket se në atë kohë dy shqiptarët janë afruar shumë si dy emigrantë që përpiqen të mbijetojnë në një shtet të huaj. Rrugët e dy djemve u ndanë kur reperi u rikthye në Shqipëri dhe nisi karrierën në muzikë, ndërkaq Billa kishte hesape me drejtësinë për të larë. Teksa fama dhe karriera e Noizyt rritej. Hekuran Billa vijonte dënimin për vrasjen e kryer në të shkuarën. Megjithatë, miqësia mes të dyve vijoi gjatë. Bëhet me dije se këngëtari e vizitonte shumë shpesh edhe kur ai vuante dënimin në burgun e Fushë-Krujës. Për të gjithë të dënuarit dhe gardianët binte në sy prania e një të famshmit si Noizy teksa vizitonte qelitë e burgut famëkeq. Duket se ai shumë shpesh shkonte te miku i tij, që pas disa betejave gjyqësore, ia doli që të linte qelinë. Nuk kemi detaje të tjera sesi ka vijuar kjo miqësi pas daljes nga burgu rreth një vit më parë. Në rrjetet sociale apo në ato pak dalje, këngëtari kurrë nuk e ka përmendur, ndoshta edhe për shkak të së shkuarës së tij. “Gazeta Shqiptare” kontaktoi Noizyn për t’i marrë më shumë detaje në lidhje me miqësinë e tij me viktimën, por reperi nuk iu përgjigj interesimit tonë, madje ai na bllokoi në telefon, duke zgjedhur të heshtë rreth lidhjes së tij me Hekuran Billën. Ndoshta për faktin se ai vetë si natyrë zgjedh gjithnjë të qëndrojë larg mediave, apo se për të është një moment i vështirë, pasi ka humbur një mik të mirë, apo ndoshta nuk ka dashur të lidhë emrin e tij me një emër me precedentë penalë. Fakti është që ndoshta për këtë miqësi nuk do të mësojmë kurrë detaje të tjera.
Noizy dhe rrëfimi i tij për bullizmin në Angli:
Noizy ishte i ftuar pak javë më parë në emisionin “Në kurthin e Piter Pan”, ku ndër të tjera ka rrëfyer edhe momentet më të vështira që ka përjetuar pas shpërnguljes në Angli. Reperi thotë se në Angli kishte ikur 10 vjeç dhe në shkollë ishte viktimë e bulizmit vetëm për shkak se ishte refugjat. “Kam ikur në Angli 10 vjeç. Mbaj mend diçka që nuk e harroj kurrë. Në Shqipëri jemi mësuar duke ecur me shokët dhe çfarë ka një shok, ia jep tjetri, pra do e bëjmë bashkë. Vazhdova shkollën në Angli, dita e parë që mbaruam katër klasat dhe vazhdoi pushimi i gjatë shkova tek salla ku hanim bukë, mora ushqimin dhe shkova tek tavolina. Gjeta ca çuna me ngjyrë të bardhë dhe thosha me vete këta janë si puna jonë. Kur jam ulur aty, më thanë çohu nga tavolina. Unë i thashë pse dhe ata mu përgjigjën sepse ti je refugjat dhe nuk e vend këtu thanë, shko gjeje vend diku tjetër. Atë ditë nuk kam ngrënë bukë dhe kam qarë. Kam kuptuar sa e vështirë është të përdorin racizëm kundër një fëmijë”, tha Noizy.