Tjetër shifër e lartë regjistrohet sot në vend sa i përket të prekurve me Covid 19. Nga burimet mësohet se në 24 orët e fundit, kanë rezultuar pozitiv me koronavirus 66 persona.
Në përditësimin e një dite më parë, Ministria e Shëndetësisë apeloi qytetarët për të respektuar masat anti Covid 19, si e vetmja mënyrë për të parandaluar përhapjen e virusit.
“E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, duke ruajtur higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht, bizneset dhe institucionet duke respektuar protokollet e përcaktuara.
Maskat janë një domosdoshmëri për t’u mbajtur dhe mos i harroni kur dilni nga shtëpia. Vendosini ato kudo ku ambienti është i mbyllur, në spitale, qendra shëndetësore, dyqane, supermarkete, parukeri, taksi, ambiente pune, zyra shërbimesh.
Familjarët e pacientëve në spitale të shmangin sa më shumë vizitat, të moshuarit kur është e mundur të shmangin kontaktet në qendrat shëndetësore, por të kontaktojnë me mjekun e familjes për barnat me rimbursim.
Ju nuk e dini nëse dikush pranë jush është bartës i virusit. Mbroni veten dhe familjet tuaja. Mos i neglizhoni shenjat e sëmundjes. Tregoni nëse keni simptoma e qëndroni në shtëpi kur prisni përgjigjen e tamponit apo kur jeni në karantinë.” deklaroi një ditë më parë Ministria e Shëndetësisë.