Shefja e Neonatologjisë në Maternitetin “Koço Gliozheni”, Alketa Hoxha vjen me një apel drejtuar nënave të reja apo atyre që pritet të sjellin në jetë një fëmijë, që të tregojnë kujdes për shkak të situatës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.
Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ të publikuar në faqen e ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, mjekja pediatre i bën thirrje grave shtatzëna dhe nënave më fëmijë të porsalindur që të zbatojnë protokollin.
“Rregullat për të parandaluar COVID19 duhet të jenë të zbatueshme nga të gjithë.
Ne kemi një kategori shumë më të ndjeshme siç janë gratë shtatzëna, nëna me fëmijë në gji, nënë që kanë fëmijë të lindur me probleme që duhet të mbrohen patjetër. Ju lutem të heqim dorë në këto momente nga ardhjet e panevojshme dhe mbingarkesat në maternitete që t’i japim mundësi fillimit të jetës pa asnjë problem. Një këshillë të veçantë për të gjitha nënat, të cilat duke ndjekur rregullat, në asnjë mënyrë të mos ndahen nga foshnjat e tyre dhe në asnjë mënyrë të mos ndërpresin ushqimin me qumësht gjiri për t’u mbrojtur sa më mirë”,- tha Hoxha.