E ftuar në emisionin “Opinion”, Kryemadhi theksoi se opozita do të shkojë e bashkuar në zgjedhje, ndërsa tha me ironi se një koalicion me Ramën do të ndodhte “vetëm nëse unë jam e çmendur ose jam njeri që nuk e mbaj fjalën”.
Pjesë nga biseda në emisionin e Blend Fevziut:
Fevziu: Opozita do të shkojë e bashkuar në zgjedhje?
Kryemadhi: Patjetër. Ka një marrëveshje të nënshkruar më 23 Prill, nga të gjitha partitë e opozitës së bashkuar që kanë marr angazhimin për të shkuar në zgjedhje si front i bashkuar opozitar.
Fevziu: Keni biseduar si do të maksimalizoni votat tuaja? Do hapeni edhe për parti të tjera që duan t’i bashkohen kësaj liste.
Kryemadhi: Patjetër.
Fevziu: Marrëveshja juaj me PD është definitive?
Kryemadhi: Është definitive dhe për këtë janë njohur të gjitha strukturat e partive.
Fevziu: Pra ju si LSI do shkoni me PD dhe nuk keni ndonjë shans të riktheheni tek Rama në ndonjë koalicion të mundshëm?
Kryemadhi: Vetëm nëse unë jam e çmendur dhe jam njeri që nuk mbaj fjalën. Por unë shquhem si njeri që e mbaj fjalën. Një nga vështirësitë e mia më të mëdha është që po e dhashë fjalën i qëndroj deri në fund, qoftë edhe me kosto personale.