Rama për tunelin në Llogara: Do përshkohet për 10 minuta

Kryeministri Edi Rama ka folur gjatë prezantimit për hapjen e garës së projektit të tunelit që do të lidhë Orikumin me Palasën, dhe që do të shkurtojë kohë për të gjithë drejtuesit e mjeteve, duke shmangur qafën e Llogarasë.

Rama tha se ky është një nga projektet më ambicioze të qeverisë, i cili nuk do të bëhet me PPP por me paratë e Buxhetit të Shtetit.

“E them me shumë krenari që jemi gati të materializojmë këtë projekt që do të krijojë një akses krejt tjetër drejt zonës dhe do të shërbejë si katalizator i turizmit.

E kemi parë dhe përjetuar shumë herë në kontaktet tona me investitorët e huaj shumë të interesuar për të investuar në turizëm, se në fund biseda mbyllet me distancën mes vendit të investimit dhe aeroportit më të afërt, përtej faktit që aeroporti i afërt do të ndërtohet, ai i Vlorës, që një tjetër shumë herë i përfolur dhe ai do të ndërtohet, ai i Sarandës, kyçi mbetet Llogorja, pasi distanca zgjatet edhe si kohë dhe vështirësi me segmentin që e njohim të gjithë që gjarpëron për të kapërcyer malin.

Janë bërë analizat, për parametrat e nevojshëm që lidhen me fizibilitetin, janë ezauruar dhe rrugët e mundshme të realizimit me investime të huaja apo PPP dhe është rënë në fund në konkluzionin se rruga më e mirë është që ky projekt të udhëhiqet dhe të çohet në fund nga qeveria dhe të financohet nga buxheti i shtetit”- tha Rama.

Nga ana tjetër ministrja Belinda Balluku tha se gara për tenderin pritet që të shpallet brenda këtij viti. Tuneli 6 km do të përshkohet për 7-10 minuta me shpejtësi 50-80 km/h. “37 minuta do të jetë koha e përshkimit të rrugës nga aeroporti (i Vlorës) në bregdetin shqiptar” tha ministrja. “Projekti do të ketë ndikim 550-600 mln euro në ekonomi dhe punësimi 11600 persona”, u shpreh ministrja.

Loading...