Arrestohet një 32-vjeçar, hodhi çantën me armë në tokë dhe tentoi…

Policia e Tiranës vijon veprimet hetimore dhe profesionale për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 11 qershorit, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 40-vjeçari Hekuran Billa.

Po kështu vijojnë kontrollet për kapjen dhe shoqërimin e personave të tjerë që mund të kenë dijeni apo mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje. Gjatë këtyre kontrolleve të shtuara është kapur në një lokal, një shtetas që mbante armë zjarri pistoletë me vete dhe tentoi të largohej me vrap, por u kap dhe u arrestua në flagrancë nga Policia.

Nga shërbimet e Policisë në Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës dhe në Sektorin e Operacioneve Speciale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë janë ushtruar kontrolle të shumta në disa ambiente lokalesh, banesa dhe servise automjetesh.

Si rezultat i kontrollit të ushtruar në një lokal, një shtetas, në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë është larguar me vrap, duke hedhur në tokë një çantë, brenda së cilës Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri tip pistoletë, me një krehër me 7 fishekë kalibër 9 mm.

Shërbimet e Policisë kanë vijuar ndjekjen dhe pas disa minutash kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit Andi Agraja, 32 vjeç, banues në Shkodër. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vjet burgim.

Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë vijon veprimet intensive për dokumentinin e plotë të vrasjes së shtetasit H. B., identifikimin, kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.

Më herët, nga DVP Tiranë, u identifikua dhe u prangos 22-vjeçari S. M. (nipi i shtetasit V. M.), i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasje.

Më pas, falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes Policisë së Shtetit dhe Policisë malazeze, duke shkëmbyer në kohë reale informacione të grumbulluara nga DVP Tiranë, për vendndodhjen e shtetasit V. M., i dyshuar si autor kryesor për vrasjen e shtetasit H. B., u bë e mundur kapja në Malin e Zi, nga Policia malazeze, e shtetasit V. M. dhe më pas arrestimi i tij në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit, nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit.
/Balkanweb

Loading...