Në fund-nëntorin e vitit 2014, në një prej kanaleve televizive kombëtare, u dha dokumentari “Gjiri i nënës”, kushtuar masakrës naziste në Vranishtin e Vlorës.
Për hir të së vërtetës, puna e bërë prej ekipit realizues ishte tepër e arrirë. Ky fakt pati impaktin te emocioni që përcolli te teleshikuesit jo vetëm vranishtjotë.
Për ta, ngjarja shpalosej jo vetëm e plotë, por edhe shumë prekëse. Dokumentari, minutë pas minute qartësonte nëpërmjet dëshmive të bashkëkohësve të vërtetën e madhe: Gjermanët nuk erdhën në Shqipëri si kalimtarë dhe aq më pak si paqësorë. Tragjedia e dhjetra familjeve vranishtiote përmes viktimizimit të të moshuarve, grave dhe të rinjve liridashës, vërtetoi natyrën e vërtetë agresive të ushtrisë hitleriane dhe krimet makabre të saj në të gjitha shtresat e popullsisë vendase. A nuk mjafton për këtë fakti rrënqethës, kur foshnja në gji piu gjatë natës qumësht e gjak prej së ëmës së masakruar? Po vrasja e nënës së re shtatzanë në oborrin e shtëpisë? Po gjyshi Ismail çfarë i kishte bërë bishës naziste, që u martirizua bashkë me djalin dhe nipin e tij? Po Rexhep Çinua, hoxha fukara i fshatit, ku e kishte prekur Vermahtin?… Ka shumë “Po”, aq sa do të duheshin libra për t’i paraqitur. Por, gjetkë është qëllimi i këtij shkrimi.
Në të gjithë historinë njerëzore pushtuesi ka një mision, një “fytyrë”, një synim dhe një strategji. I tillë ishte edhe pushtuesi gjerman në Shqipëri. Historiografia e kohës sonë i ka dhënë vendin e merituar rezistencës ndaj nazi-fashizmit, ndërsa Bota Demokratike prej dekadash, në shenjë respekti për milionat e luftëtarëve të rënë në fushën e betejës, 9 Majin e ka kthyer në homazh mirënjohës për ta dhe kujtesë për brezat që vijnë. Të pretendosh të kundërtën, do të thotë ose të mos duash të njohësh të vërtetën historike dhe realitetin e kohës, ose të përpiqesh për interesa cinike të falsifikosh shkakun e ndodhive makabre të pushtuesve nazi-fashistë. Në ditët e sotme, fatkeqësisht dalin “shkrues” delirantë dhe pseudogazetarë anonimë periferikë, që mundohen t’i bëjnë karshillëk të vërtetave të patjetërsueshme, duke hedhur baltë edhe mbi njerëzit e afërt, që me idealizmin atdhetar, luftuan kundër pushtuesit dhe bashkëpunëtorëve të tyre me intensitet dhe forma nga më të ndryshmet. I pakuptimtë, pse jo edhe i dyshimtë ky qëndrim nihilist, me synimin për të denigruar dhe nëpërkëmbur vlerat njerëzore dhe atdhetare të popullit. Nuk mund të qëndrosh indiferent ndaj mendimeve që cënojnë rëndë gjakun e derdhur nga bashkëfshatarët tanë për lirinë e Atdheut, se siç thotë një mendje e ndritur: “Kurrë mos qëndroni si spektatorë përballë pandershmërisë dhe budallallëkut, pasi varri do t’ju japë mjaft kohë për të heshtur…”.
Në një të përditëshme partiake, një “opinionist” vranishtiot, që sipas tij “posedon të vërtetën e masakrës”, krijon situata të paqena, intrigon, përçmon dhe ngatërrohet me këmbët e veta duke hedhur poshtë me një të rënë të lapsit të vërtetën reale të asaj ngjarje të dhimshme. “Gjermanët takuan njerëz paqësisht dhe u ulën të hanin bukë në një lëndinë…” shkruan e zeza mbi të bardhë . Është e vërtetë që banorët ishin paqësore, por jo gjermanët. Por, po kaq e vërtetë është se edhe mbritja e tyre në Vranisht nuk ishte shëtitje dhe as e detyruar prej faktorëve madhorë të jashtëm. Ajo ishte pjesë e skenarit shfarosës të forcave naziste, nëpërmjet Operacionit të Dimrit 1943-1944, ndaj formacioneve partizane, që ishin përqëndruar në krahinën e Mesaplikut. Pra, ardhja e tyre në Vranisht nuk ishte rastësi, aq më pak rrugëkalim. Gjithashtu, kur bora ishte deri në gju, nuk dihet se ku e gjen këtë lëndinë autori i shkrimit. E vërteta është krejt tjetër. Vranishti ishte një ndër bazat kryesore të Lëvizjes Nacionalclirimtare në qarkun e Vlorës dhe si i tillë, duhej bërë shembull i terrorit. Kështu na e kanë përcjellë dëshmitarët okularë vendas, kështu shkruhet edhe në historikët e Brigadës së Parë dhe të Pestë Sulmuese. Kështu shkruhet gjithashtu edhe në historikun e Vranishtit. Është e pabesueshme të mendosh se të gjithë këta kanë dashur të falsifikojnë ndodhinë, pjesëmarrësit, protagonistët, shkaqet dhe pasojat e masakrës. Prandaj shprehja që “gjermanët ishin ulur në lëndinë dhe po hanin bukë…”, është veçse një trillim i pështirë. Faktet flasin krejt ndryshe. Pararoja e forcave gjermane që erdhi nga Tërbaçi, në çastin e mbritjes në afërsi të qendrës, përballet befasisht me një njësit partizan të Brigadës së Pestë. Nga një shkëmbim zjarri midis palëve, gjermanët tërhiqen në periferi të fshatit dhe aty pozicionohen në pritje të forcave që do vinin nga Tërbaçi. Këtu rrethohen nga njësiti i armatosur i fshatit në bashkëpunim me njësitin partizan dhe jo në qendër të fshatit, siç pretendon “opinionisti”. E themi këtë pasi po të ishte i vërtetë arsyetimi i tij, nuk do të thuhej që njësiti luftarak i fshatit i zuri pritë pararojës gjermane, por mësyu kundër saj. Ka një ndryshim të madh dhe nuk ka nevojë të kesh njohuri të mjaftueshme ushtarake për të bërë dallimin midis këtyre dy nocioneve. Deri tani asnjë nga kritizerët e kësaj ngjarje nuk e ka përmendur fjalën “sulm” kundër gjermanëve, por është theksuar dhe përsëritur se pjestarët e njësitit luftarak kanë bërë pritë, duke asgjesuar njëmbëdhjetë ushtarë nazistë. Edhe diçka tjetër, për t’i hequr merakun ndonjë “analisti” të zellshëm. Sulmi kundër forcave gjermane nuk ishte veprim kaçak dhe as teke e dikujt. Ishte një ndër format e goditjes se armikut në kushtet konkrete të luftës partizane. Nëse ky sulm taktikisht mund të ishte menduar më mirë, pavarësisht se qe rezultativ për situatën e krijuar, duhet të mbajmë parasysh faktin e rëndësishëm që ata njerëz që e ndërmorrën atë kishin atdhetarinë me shumicë, ndërsa shkollat ushtarake, ku mund të mësonin taktikat e veprimeve luftarake, u mungonin.
Më tej “opinionisti” vazhdon me fjalor rruge denigrimin e këshilltarëve antifashistë të fshatit, duke u përpjekur t’i bëjë shkaktarë të masakrës, qw u krye nw dy fazat e Operacionit nazist, mw 18 dhjetor 1943 dhe 9 e 10 shkurt 1944. Dihet nga të gjithë se këshilli antifashist nacionalclirimtar ishte zgjedhur prej banorëve të Vranishtit me dëshirë dhe pa asnjë trysni politike, për t’u shërbyer vetëm atyre. Në përbërje të tij ishin burrat më me peshë në mjedisin ku jetonin, me vlera të spikatura atdhetare, të përkushtuar për kauzën e përbashkët, të vendosur deri në vetmohim. Pyesim autorin e shkrimit: A nuk ishte i tillë Daut Sefer Gjikondi, mësuesi, propagandisti, veprimtari, kronikani dhe luftëtari i Epopesë së Vlorës më 1920; po vëllai i tij Alem Seferi, që e kishin zgjedhur në krye të Keshillit për cilësitë e larta që mbarte; po Besim Feimi, një nga pionierët e shoqatave patriotike; po Azbi Ramadani, pjesë e një familje të shquar atdhetare dhe luftëtar i Luftës së Vlorës; po Mëno Limaj dhe Maliq Mersini, që kishin provuar qelitë e fashizmit; po Xhevit Janushaj, një nga këshilltarët më energjikë; po Sali Xhama, ç’mund të jepte më shumë se ç’kishte dhënë?! Kështu mund të shprehemi për të gjithë të tjerët. Pra, këta këshilltarë, që meritojnë vlerësim për çka blatuan dhe jo njollosje,u takon mirënjohje dhe jo fyerje nga dikush që ndoshta kërkon të fitojë kredite, duke shtrembëruar të vërtetën. Si mund t’i anatemosh këta këshilltarë me termin“ “këshilltarë kokëbosh” apo “njerëz katojesh”, kur ata ishin në ballë të rezistencës antifashiste dhe një pjesë prej tyre gëzojnë statusin e “Dëshmorit të Atdheut”?! Në rast se gjyshi i artikullshkruesit ishte në kahun tjetër të kësaj rryme dhe pati një fund tragjik, kjo nuk i jep të drejtën atij të lëshojë broçkulla të tilla.
Por imagjinata dhe trillimi i këtij kalemxhiu shkon më tej, kur përpiqet të na bindë se prita më 18 Dhjetor 1943 u krye nga “aventurierët” vendas, për t’u marrë veshjet nazistëve! Edhe kjo nuk ishte dëgjuar ndonjëherë, por ja që siç duket, i erdhi radha ta mësojmë tani, pas 70 vjetësh!!
Pra, antifashistët vranishtjotë, përveçse dalin “të pabesë” ndaj nazistëve( “i vranë me bukë në gojë”), paraqiten edhe si plaçkitës e grabitës ndaj viktimave armike. Këto absurditete më shumë se një kllapi politike, janë marrëzira.
Vranishti njihet në Labëri si fshat me veprimtari atdhetare, duke qenë një zë i fuqishëm kundër pushtuesit otoman, për shpalljen dhe mbrojtjen e pavarësisë prej synimeve shoviniste fqinje, në Luftën e Vlorës dhe Revolucionin e Qershorit 1924 si dhe gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Vetëm në rreshtat partizane ishin mbi 100 vranishtiotë, të inkuadruar në çeta, batalione e brigada. Shumë të tjerë, në përbërje të njësitit të armatosur të fshatit apo batalionit territorial ishin luftëtarë në aksionet periodike lokale kundër nazifashizmit. Prandaj themi se, nuk mund të besohet prej lexuesit serioz, se ishte veshja e pushtuesve arsyeja e sulmit të armatosur kundër tyre. Ishin arsye të tjera shumë të forta. Ishte kërkesa imediate për liri. Ishte koha kur fryma antifashiste mbizotëronte në ndërgjegjen e shumicës së popullsisë, prandaj vranishtiotët u rreshtuan në krahun e duhur. Edhe në Vranisht shumica e atëhershme mbetet shumicë edhe sot, duke vleresuar Luftën dhe protagonistët e saj. Pakica që bashkëpunoi me pushtuesit, edhe sot e tillë është. Pakicë që “bashkëpunon mes vedi”, për të errësuar vlerat e vërteta antifashiste, nëpërmjet sajesave imagjinare. Është një përpjekje e kotë e atij që kërkon grimcën e rërës më të madhe për të goditur kundërshtarin. Por, një grimcë rëre nuk ka forcë, aq më tepër nuk mund të të baltosë . Më së shumti, ajo bën pis dorën e atij që përpiqet ta përdorë kundër tjetrit.
Shkruesi i vëmendshëm dhe serioz përpiqet të tregojë realitetin edhe nëpërmjet shifrave, me qëllim që t’i shërbejnë brezave. Shtimi i shifrave nuk i shton dhe as i heq asgjë masakrës naziste. Ajo mbetet një ndër ngjarjet më të përgjakshme dhe më tragjiket e Luftës së Dytë Botërore në vendin tonë. E megjithatë, “opinionisti” ka shkruar si pa të keq se janë vrarë 70 banorë vendas. Nëse i ka shkruar nga padija (pak mund të besohet), po i themi se sipas Historikut te Vranishtit, përgatitur prej bashkëkohësve, numri i viktimave vranishtjote gjatë Operacionit të Dimrit është 58, prej të cilëve 10 më datën 18 Dhjetor 1943, 18 më 9 Shkurt dhe 30 (u pushkatuan në Brataj) më 10 Shkurt 1944, krahas 2 qytetarëve vlonjatë dhe dy partizanëve të Brigadës së Pestë. Siç duket, autori ka dashur të shtojë numrin, për të rritur shkallën e fajësisë e atyre pak partizanëve, që ndodheshin në periferi të fshatit dhe të strukturave të luftës aty për masakrimin e banorëve. Punë e tij, por analizat bëhen duke u mbështetur mbi fakte dhe jo mbi sajesa.
Për ta shkarkuar fajin mbi dikë tjetër dhe për të ngarkuar me përgjegjësi medoemos individë të caktuar, në shkrim thuhej se në këtë Operacion, “vetëm në Vranisht u viktimizua popullsia”. Përsëri e vërteta është ndryshe. 24 banorë u masakruan në Kuç, 12 në Tërbaç dhe të tjerë në Smokthinë, midis të cilëve edhe Heroina e Popullit Qeriba Derri, pa folur për qindra qytetarë vlonjatë që i çuan drejt kampeve shfarrosëse. Shkaku i Operacionit nazist nuk janë “gabimet” e disa partizanëve në Vranisht, por egzistenca në Lumin e Vlorës e një lëvizjeje të fuqishme kundër forcave naziste dhe zgjerimi e përgatitja e Ushtrisë Nacionalçlirimtare për mësymjen e përgjithëshme të armatosur kundër armikut. Duke ndier rrezikun e saj, komanda gjermane vendosi t’i “japë një leksion” uraganit popullor, duke vrarë e masakruar popullsinë vendase.
Në atë shkrim “akuzë”, kur pritej vlerësim dhe homazh, ka edhe diçka, që ja vlen të theksohet. Qeveria e pasluftës e demokratëve të De Golit në Francë nuk e dekoroi ish kryeministrin bashkëpunëtor të nazistëve, Peten, përkundrazi ja dorëzoi duarlidhur drejtësisë, e cila për shkak të moshës i kurseu plumbin, por nuk i fali tradhëtinë dhe e përplasi në qeli, ku edhe ngordhi si qën pas disa vjetësh. Ndoshta, po të ishte më i ri, do të kishte marrë ndëshkimin mkasimal, si të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë të fashizmit në të gjithë botën. Ndoshta, edhe autori i shkrimit nuk do të na servirte pasaktësi të tilla, që e nxjerrin injorant për ngjarje madhore, ose dashakeq të qëllimshëm. Se ku i dihet, mbase edhe ai si disa të tjerë në kohën e sotme në Shqipëri, përpiqen të “shesin” antivlerat si vlera, duke tentuar të fundosin virtytet e një populli luftëtar, atdhetar, liridashës dhe progresist.
Përfundimisht, theksojmë: Ne, brezi pasardhës i antifashistëve kemi të drejtën dhe detyrën të shkruajmë për heriozmin masiv dhe protagonistët e spikatur, por jo sipas dëshirës. Brezave të ardhshëm u intereson risjellja në vëmendje e ndodhive më gjurmëlënëse të kohës, veç jo si të na interesojë për momentin. Qëndrimi besnik ndaj aksiomës, “që e vërteta është vetëm një”, është pjesë e karakterit të secilit. Dhe karakteri as blihet dhe as shitet.
Në vend të epilogut
Në zgjedhjet e fundit lokale, artikullshkruesi i mësipërm u bë promotor, që vullneti i popullit të Vranishtit të ishte sinkron me rrymën pro qarqeve nacionaliste greke.
Pavarësisht se një prej paraardhësve të tij është dëshmor i luftës kundër bandave shoviniste greke, që kërkonin të konkretizonin ëndrrën e kahershme të “Megali Idesë”më 1914, këtij pelivani, të etur edhe për “5 kacidhe”, nuk i zuri lopata ujë te bashkëfshatarët për të devijuar votën masive të tyre pro alternativës progresiste. Me këtë qëndrim, ai demaskoi përfundimisht veten , duke tentuar të bëjë pis historinë e lavdishme të Vranishtit dhe njëkohësisht të trazojë ndjenjat kombëtare. Turp 1000 herë për këtë pseudointelektual dhe njeri të shkërmoqur nga karakteri.
Vranishti e ka përzgjedhur historikisht rrugën e nderit dhe të lavdisë. Ai do të vazhdojë vazhdimisht të eci në këtë rrugë, pavarësisht se dikush devijon prej saj.
*Nga një grup pasardhësish të këshilltarëve antifashistë vranishtjotë